Lucescu: Jam larguar falë Ceferin, sporti s’ka lidhje me luftën, është kulturë

schedule11:11 - 14 Mars, 2022

schedule 11:11 - 14 Mars, 2022

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të jetë shqetësuese, ndërsa kemi një numër të konsiderueshëm në viktima.

Kjo luftë tmerroi të gjithë, ndërsa të huajt që u gjendën në Ukrainë e kishin të vështirë të largoheshin për shkak të sulmeve ruse.

Njëri prej tyre ishte edhe Mircea Lucescu, i cili është padyshim një nga trajnerët më të rëndësishëm në futboll, ndërsa udhëhiqte Dynamo Kyiv, ku ka fituar 37 tituj duke përfshirë një Europa League me Shaktar Donetsk.

Duke folur gjatë transmetimit të Radio Anch’io Sport, Lucescu komentoi situatën në Ukrainë, me përvojën e drejtpërdrejtë nga lufta për shkak të rolit të tij si trajner i Dynamo Kievit:

“Dy ditë më parë ishim kthyer nga Turqia, pastaj një natë para stërvitjes ndodhi sulmi. Federata e ndërpreu kampionatin për një muaj, por mendoj se do të jetë shumë e vështirë të rifillojë.

Jam larguar me lojtarët e huaj falë Ceferinit, UEFA-s dhe shoqatave të futbollit. Disa lojtarë qëndruan atje dhe shkuan në bazën ku ne po stërviteshim. U largova për të ndihmuar nga jashtë, për të organizuar dhe ndihmuar familjet që të largoheshin. Kemi nxjerrë disa njerëz. Lojtarët me më shumë se 3 fëmijë arritën të dilnin”.

Në vijim, Lucescu shpjegoi gjithashtu se sulmi nga Rusia ishte një ngjarje e papritur për të: “Nuk e kam menduar kurrë një gjë të tillë. Ukrainasit dhe rusët jetonin së bashku si vëllezër. Ky është një problem politik dhe jo i popullit. Ukrainasit janë krenarë për kulturën e tyre, do të ketë një betejë të gjatë. Askush nuk do ta fitojë atë, do të ketë vetëm humbje. Frikë? Jo, nuk kam pasur asnjëherë. Kur mbërritëm në kufi, pamë burra duke lënë gra dhe fëmijë pas”.

Në mbyllje, ish-trajneri i Interit komentoi ngjarjet që kanë të bëjnë me botën e sportit, ku shumë disiplina po skualifikojnë klube apo sportistë rusë nga garat ndërkombëtare: “Për mua, sporti nuk ka lidhje me arsyet e politikanëve. Sporti është kulturë, e kanë gabim. Njerëzit duhet të vazhdojnë në garat sportive. Ata kanë nevojë për këtë gjë. Nuk jam dakord që sportistëve t’u hiqet e drejta për të qenë kampionë. Sporti mundet vetëm të ndihmojë”. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!