Harry Kane është një tifoz i Tottenham, por kapiteni ka vendosur të largohet. Ylli i Spurs mbush 27 vjeç në korrik dhe dëshiron të luftojë e fitojë trofe. Klubi londinez kërkon 200 milion stërlina për ta lënë të lirë, një shumë që nuk mund ta paguajë çdo klub, aq më tepër në këtë krizë ekonomike.
Te Tottenham nuk janë dorëzuar ende dhe Lucas Moura shpreson që bomberi anglez të mos largohet. Në një prononcim për Sky Sports, sulmuesi brazilian thur elozhe për kolegun e repartit ofensiv dhe është i bindur që Jose Mourinho do të bëjë maksimumin që Kanë të qëndrojë.
“Është e vështirë të flasësh për të ardhmen, pasi bëhet fjalë për vendime personale. Jam i sigurt që Tottenham merr çdo sezon oferta për Harry Kane. Nuk jam unë ai që vendos, por do të doja të luaja me të sezonin e ardhshëm.
Shpresoj që të qëndrojë, është shumë i rëndësishëm për ne dhe nuk është e thjeshtë të gjesh një lojtar të tillë. Të gjithë e dinë sa i fortë dhe rëndësishëm që është. Ai është sulmuesi ynë dhe shënon pothuajse në çdo ndeshje. Jam i sigurt që Mourinho do luajë çdo kartë për ta bindur të qëndrojë”, përfundon braziliani. /abcnews.al