Luan Rama: Të rinjtë nuk ka nevojë t’i marrë njeri për dore, bënë diferencën nga servilët

schedule13:24 - 1 Maj, 2021

schedule 13:24 - 1 Maj, 2021

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave për zgjedhjet e 25 Prillit. Rama shkruan se për LSI-në është një fat i madh përkrahja e të rinjve që u bënë protagonist të rendit të parë. Ai thotë se sjellja e tyre ishte e ndryshme nga ajo e personazheve servilë, dhe bëri diferencën duke krijuar një bazë në sintoni me arsyen pse kjo parti lindi. Rama shprehet se LSI duhet të reflektojë nga realiteti i diferencës që bënë të rinjvë të Vlorë.

“Përsiatje: NJË BREZ QË NUK KA NEVOJË  TA MARRË NJERI PËR DORE. Përkundër zhumhurit të zgjedhjeve e gjithë përpjekjeve si në traditën tonë më të shumtuar të manipulimit të tyre, prej gjithë fushatës nuk mund të mos evidentoj edhe një herë faktin që për LSI-në është një fat i madh përkrahja dhe mbështetja e rinisë.

Jo vetëm në Vlorë ku unë drejtova fushatën e zgjedhjeve, por edhe gjithkund tjetër në mbarë vendin, shumë të reja dhe të rinj, votues për herë të parë në mënyrë të veçantë, u bënë protagonistë të rendit të parë me shumë përkushtim, me shumë pasion, por edhe me shumë kulturë. Sjellja e tyre, e ndryshme prej arketipit të disa personazheve dogmatikë e servilë dhe me limite mjerisht të dhimbshme të kulturës së komunikimit, jo vetëm bëri diferencën e madhe me ta, por krijoi edhe mjedisin e nevojshëm për ringritjen mbi një bazë solide të LSI-së, krejtësisht në sintoni me arsyen se pse kjo parti lindi.

Ne Vlorë, rreth shtatëdhjetë përqind e strukturave të LSI-së që u angazhuan në zgjedhje ishin të moshës 18 – 35 vjeç, e mu për këtë arsye në qytetin e Vlorës, megjithë dhunën e rrugaçërinë e pushtetit dhe shpifjet e intrigat e shëmtuara që u sajuan, LSI fitoi më shumë vota se në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara më parë, çka shpreh në fakt më sëpari mbështetje prej rinisë. Kjo gjë nuk ndodhi në pjesën tjetër të qarkut dhe na penalizoi, pavarësisht faktit të manipulimit, mashtrimit dhe tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve që nuk u lanë të zgjedhin.

Përfshirja në listën e kandidatëve të LSI-së e Grisejda Myslymit, një vajzë me cilësi të spikatura e përfaqësuese e një gjenerate që nuk ka nevojë ta marrë njeri për dore, e Dikens Bushajt me shumë vullnet dhe pjekuri, e Anxhela Shenajt me shumë përkushtim dhe devocion, e Joana Ruçit nga Ksamili dhe e Everton Shehut nga Delvina po aq përfaqësues dhe përbashkues të interesit të brezit të tyre, është treguesi më kuptimplotë i faktit se LSI parti e të rinjëve nuk është një sllogan, por realitet.

Nga ky realitet duhet të nisë reflektimi ynë dhe prej këtu duhet të projektohet ringritja. LSI ka lindur të sfidojë. Sfidat janë për të oksigjeni i nevojshëm i rritjes dhe duke patur rininë me vete, ajo e ka të sigurtë të ardhmen. Unë isha me fat që pata mundësinë të punoj me shumë të rinj dhe të reja në Vlorë. Mirënjohës ndaj tyre, nuk mund të mos shpreh vlerësimin për nivelin qytetar, kulturor dhe intelektual që ata shfaqën, por edhe për përkushtimin, guximin dhe pjekurinë politike që dëshmuan, duke krijuar me elegancë kontrastin dhe distancën e nevojshme nga çfarë nuk kishte lidhje me konceptin dhe vizionin e tyre për politikën dhe njeriun e politikës.

Patetizmi dhe gjuha e drunjtë, verbëria dhe servilizmi, frika dhe kompleksi i inferioritetit që i bën të paaftët vasalë të injorancës së tyre, për të rinjtë e sotëm janë të huaja e ngjallin neveri. LSI ka fatin e madh të ketë rininë me vete, ndaj të gjithë ata që u përpoqën ta çonin atë për skrap duhet të kuptojnë se kanë zgjedhur rrugën për në theqafje, siç thotë Migjeni i madh”, shkruan Luan Rama./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!