Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

LSI aspiron për të qenë forcë e parë, Kryemadhi flet për ABC: Pakti me Ramën tradhti kombëtare

schedule15:57 - 28 Mars, 2021

schedule 15:57 - 28 Mars, 2021

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një intervistë të dhënë për ABC këtë të dielë ka hedhur poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Në një intervistë për gazetarin, Juxhin Mustafaraj, kryemadhi gjithashtu ka folur dhe në lidhje me prioritetet e LSI-së ku ka deklaruar se fokusi i tyre nuk janë mandatet e LSI-së por janë  5 prioritetet që ato kanë prezantuar për këtë fushatë elektorale.

Gjithashtu Kryemadhi ka theksuar se në ceremoninë e hapjes së fushatës së PD-së, nuk ishte pjesë pasi ajo ishte thjesht një ceremoni simbolike e vetë partisë, por ato janë bashkë në këtë rrugëtim.

Ndër të tjera ajo është shprehur se kryeministri Rama ndihet në frikë dhe presion për atë që pret në 25 prill ndaj edhe ka zgjedhur gjuhën denigruese ndaj përfaqësuesve të opozitës.

Intervista e plotë:

Janë gazetarët të cilët po ndjekin politikanët të cilët ndryshe nga herët e tjera në takimet klasikë po zhvillojë takime më të vogla. Si është kjo fushatë për ju?

Kryemadhi: Për LSI ka qenë më e lodhshme për kandidatët sepse janë të detyruar që t’i bëjnë takimet të grupuara dhe të vogla. Për shkak sepse gjobiten vetëm kandidatët e LSI, vetëm ambientet që ia lënë në dispozicion LSI por kjo nuk e ka ndaluar, vetëm ka shtuar ritmin e kandidatit, për të hyrë në shtëpi, për t’u takuar me njerëz në mënyra më individuale ndryshe nga mitingjet e mëdha që në shumicën e rasteve kanë qenë konsumim energjish, njerëzish dhe po të njëjtët njerëz që janë votues të tutë, ti i konsumon dhe i nxjerr në një takim të madh dhe harxhon energji dhe kohë. Faktikisht pandemia ia ka krijuar mundësinë LSI sepse LSI punon shtëpi më shtëpi. Është një strukturë që është në mikro. Ne e lidhim dhe e identifikojmë problematikat që kanë qytetarët, problematikat që kanë njerëzit. Me problematikat që kanë të rinjtë dhe të rejat. Ne sot jemi këtu në Gramsh dhe një nga problematikat më të mëdha që ka qyteti i Gramshit është jo vetëm shpopullimi, jo vetëm papunësia por dhe grabitje e pronës. Ju besoj e dëgjuat dhe më përpara thoshte edhe pse më është premtuar gjatë gjithë kohës edhe pse i kam dokumentet edhe pse i kam vendimet e gjyqit, asnjëherë nuk zbatohen. Rama ka menduar që duke bërë këtë gjë do ta dëmtonte LSI ose opozitën por në fakt e ka bërë që jo vetëm LSI por dhe çdo njeri tjetër që do të punojë për njerëzit të shkojë dhe të punojë shtëpi më shtëpi me qytetarët dhe me votuesit.

Mungesa juaj apo e funksionarëve të lartë të LSI në mitingun e PD. Ju jeni me lista të ndara por jeni një koalicion. Përse ky vendim?

Kryemadhi: Dua të theksoj që mitingu sepse e pata dhe një debat me disa gazetarë të tjerë ai ishte mitingu i prezantimit të kandidatëve të PD dhe të aleancës së tyre ndërkohë që ka akoma dhe 29 ditë që na ndajnë, do të vazhdojmë akoma secili në agjendat tona politike individuale por ndërkohë që njerëzit në terren qoftë të LSI, PD apo AN janë në kontakt me njëri tjetrin. Unë mendoj që ajo ishte një aktivitet simbolik i PD sepse gjëja kryesore që është sot është që fushata e opozitës ka nisur që në momentin që ne kemi djegur mandatet. Nuk ka nisur në kohën që ne mund të jemi në aspektin po ta quajmë zyrtar siç ka qenë më para. Djegia e mandatave të LSI dhe gjithë opozitës ka qenë sipari i hapjes së fushatës elektorale të cilat kanë një datë tashmë, kanë 25 prillin që nuk është shumë lart është 29 ditë.

Ka një synim LSI në këto zgjedhje? Është prioritet marrja e sa më shumë mandatave apo të jetë forcë qeverisëse?

Kryemadhi: Synimi i LSI është të mbajë fjalën në angazhimet e veta në 5 prioritetet kryesore të cilat janë të premtuara nga LSI për tu realizuar në 5 muajt e parë të qeverisjes. Nuk është çështje mandatesh apo pushteti. Prioriteti i LSI është kthimi i të rinjve dhe të rejave në Shqipëri, krijimi i vendeve të reja të punës. Krijimi i vendeve të punës me pagë të mirëpaguar dhe rikthimi i normalitetit dhe rikthimi i klimës së biznesit për zhvillimin e ekonomisë dhe aq më shumë procesi i hapjes së negociatave sepse mendojmë që integrimi evropian për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm.

Duke pasur parasysh që 99% e shqiptarëve duan të jenë anëtarë të Bashkimit Europian. Se sa është objektivi i LSI-së, të jeni të bindur dhe normal që LSI aspiron për të qenë forcë e parë. Del në luftë dhe në garë qër të qenë forcë e parë, por janë qytetarët ata që do ta vendosin me votën e tyre. Di të them që në të gjitha takimet që ne bëjmë, në të gjitha bisedat që kemi me qytetarët, shikojmë një inat mund të themi, një urrejtje, gjë që më vjen shumë keq për Rilindjen sepse nuk i ka mbajtur premtimet.

Unë isha në Belsh dhe kur pashë kryetarin e Shoqatës së Duhanit, kishte një fletëpalosje të 2013, ku Rilindja angazhohej jo vetëm për krijimin e 150 mijë vendeve të reja të punës në fshat, por kishte edhe për dhënien e tapisë 4 vjeçarin e parë, gjë që as njëra as tjetra nuk u bë, as në 4 vjeçarin e parë e as në të dytin. Në 4 vjeçarin e parë kemi parasysh që ne për ato angazhime që ne morëm përsipër i qëndruam. Po marrim rastin e Gramshit, ju e patë vetë kur erdhët këtu, ajo rrugë është bërë nga LSI. Edhe në debatin që ka pasur në Parlament, edhe në debatin që është diskutuar në komisione, rruga Cërrik-Gramsh është bërë me iniciativën e LSI-së, deputetin e zonës në atë kohë zotin Edmond Haxhinasto, së bashku me Dashamir Xhikën, që ka qenë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të rrugëve, të cilët bënë rrugën për të ardhur në Gramsh.

Çfarë ndodh? Rilindja mund të thotë kemi bërë këtë e këtë, por faktikisht po të shikosh diskutimet që janë bërë në Parlament, do të shikosh që deputetët e Rilindjes, atë po diskutonim edhe me grupin e mediave për të nxjerrë arkivat sesi deputetët e Rilindjes votonin kundër. Edhe deputetët e zonës, edhe të Gramshit e të Cërrikut, votonin kundër ndërtimit të rrugës Cërrik-Gramsh. Ndërkohë që ne si LSI qëndruam fort dhe e realizuam. Për të mos vazhduar pastaj për angazhimet e njerëzve, që e tha edhe profesor Ladi, edhe pse në fakt nuk do të më takonte mua ta thoja këtu, që qyteti i Gramshit sot ka 24 orë ujë për shkak të fjalës së dhënë dhe që e mbajti Ilir Meta në atë kohë kur ishte kryeministër i Shqipërisë dhe sot Gramshi është me ujë.

Për të folur pastaj për pallatin që u dogj në Gramsh, që nuk u mor përsipër jo vetëm për t’i ndihmuar, por as dokumentet, as lejen e ndërtimit nuk ua jepnin për të bërë pa këto pagesat, këto tarifat e tmerrshme që ka vënë Edi Rama për të ndërtuar një çati, për të ndërtuar një dritare, për të rregulluar një fasadë, duhet të paguash paratë e dynjasë. As atë nuk ua jepnin qytetarëve të Gramshit që iu dogj pallati dhe LSI në shenjë solidariteti në bashkëpunim me të gjithë biznesmenët e Gramshit, me njerëz dashamirës, e ndërtuan dhe e bënë këtë gjë.

Pra janë disa gjëra, kur sot qytetarët vendosen përballë dy alternativave. Një alternativë e asaj që ka premtuar dhe jo vetëm që nuk ka realizuar asgjë, por u ka grabitur edhe ëndrrat e tyre. Dhe një alternativë tjetër që fjalën që e jep, e mban deri në fund dhe e realizon atë. Pra sot ata që nuk mbajnë premtimet t’i ndëshkojnë me votë dhe ata që mbajnë premtimet t’i vlerësojnë me votë. Dhe unë e ndjej këtë, pavarësisht se këtu presioni është i jashtëzakonshëm nëpërmjet ndihmës ekonomike, ku familje të tëra janë me ndihmë ekonomike dhe i kërcënojnë, apo familje mjaft të varfra që nuk i japim kempin, apo duke i kërcënuar me problematika të tjera.

Ka probleme pafund, por 25 prilli do t’i japë fund këtij lloj presioni, sepse vërtetë në pamje të jashtme, ditën për diell, kur shikojnë që kanë policinë rreth e qark, spiunët, e të tjerë e të tjerë, janë nën presion. Pandemia na e ka krijuar këtë mundësi, reagimi i tyre është i jashtëzakonshëm dhe në fakt një nga detyrat tona si LSI është që ne duhet të ulim gjuhën e urrejtjes kur flasim me njerëzit, sepse njerëzit kanë një urrejtje jashtëzakonisht të madhe edhe për pushtetin vendor, edhe për atë qendror, sepse jo vetëm i kanë gënjyer, por edhe i kanë shfrytëzuar dhe i kanë denigruar, më pas edhe i kanë flakur në rrugë njerëzit.

Kryemadhi për tu rikthyer edhe njëherë tek bashkëpunimi që ju keni në koalicion, ka një paragjykim në fakt pasi ju dhe aleati juaj kryesor Partia Demokratike nuk jeni parë të dilni bashkë në takimet elektorale që secila prej këtyre dy forcave të mëdha mund ta shohë si një mundësi bashkëpunimi me Edi Ramën nesër. A ka një JO të prerë nga LSI për një bashkëpunim të mundshëm nëse do të duhen votat për formimin e qeverisë?

Kryemadhi: Bashkëpunimi i LSI me Edi Ramën është tradhti kombëtare. Të bashkëpunosh me një njeri, i cili ndien neveri për vendin e tij, për një njeri që ndien urrejtje për popullin e tij, për një njeri i cili i ngre zgupthi qytetarët e vet për t’i larguar nga Shqipëria, normal që çdo bashkëpunim me Edi Ramën do të ishte tradhti kombëtare. Përsa i përket angazhimit dhe takimeve tona, duhet të kemi një gjë parasysh që qoftë PD, qoftë LSI janë dy grupime të ndryshme, pavarësisht se për herë të parë në historinë e tranzicionit të 30 viteve, ne kemi një koalicion parazgjedhor midis Partisë Demokratike dhe një partie të majtë, që është LSI, e cila nuk është më thjesht një strukturë me katër deputetë, por është një strukturë e cila është realitet politik dhe mund t’ju them që është edhe shumë më shumë se një forcë politike. Është një energji e pashtershme të rinjsh dhe të rejash, të cilët janë e ardhmja e këtij vendi, të cilët kanë dëshirën, ëndrrën dhe shpresën për ta ndërtuar këtë vend. Beteja e 25 prillit nuk është betejë figurash. Nuk është beteja ku njerëzit kanë nevojë të shikojnë Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin në televizor.

Beteja e 25 prillit është një betejë për qytetarët. Nëse ne do të fokusohemi tek imazhi personal i dy liderëve të dy partive kryesore opozitare, do të ishte gabimi ynë më i madh dhe fatal. Nëse ne nuk fokusohemi tek zgjidhja e problemeve, nëse ne nuk fokusohemi tek angazhimi ynë i drejtpërdrejtë me qytetarët për të mbajtur fjalën dhe për t’u kthyer atyre shpresën dhe besimin, atëherë kjo është një betejë e humbur e jona. Por, nuk ka rrugë tjetër. Duam apo nuk duam ne, qytetarët do të votojnë ndryshimin. Çdo lider politik duhet të bëhet njësh me qytetarët, duhet të marrë përgjegjësitë e tij përpara tyre për të mbajtur fjalën dhe për të treguar se në Shqipëri vërtet ka ardhur një mentalitet i ri, në Shqipëri do të vijë një strukturë tërësisht e re dhe një klasë e re politike, që do të sjellë mendim dhe mentalitet të ri.

Ne dje ishim në Shkodër dhe në Malësi të Madhe, për hir të së vërtetës një pritje fantastike, duke pasur parasysh se çfarë përfaqësojnë këto dy zona dhe kandidate e jona është një vajzë, e cila studion në Londër për Menaxhim dhe Ekonomi, Melisa, dhe e thashë se fjalori im ndihet mjaft i varfër në krahasim me atë se çfarë ajo artikuloi atje, sepse dëshira, angazhimi dhe pasioni që ajo kishte për vendin e saj ishte me të vërtetë shumë shpresëdhënës. Këto njerëz që sot janë jashtë, studiojnë jashtë, apo kanë mbaruar studimet e tyre jashtë vendit dhe nuk duan të kthehem më këtu, ne duhet ti kthejmë. Ashtu siç kemi Saimir Kumrinë këtu në Gramsh, i cili ka mbaruar studimet jashtë shtetit, në Itali, për Shkenca Juridike dhe është kthyer. Ashtu siç kemi Avokat Dylber Dervishin në Belsh, ku e shikoje Belshin nga ana natyrore, ishte si një parajsë dhe ndërkohë që ata njerëz që jetonin atje ishin dhe janë njerëzit më të varfër në Shqipëri. Pra, ka gjëra kaq të bukura që mund t’ua ofrojmë jo vetëm shqiptarëve, por edhe turistëve të huaj. Nuk mund tu ofrojmë vetëm varfëri , por mund tu ofrojmë një mrekulli, mund tu ofrojmë një mikpritje për turizmin, agropërpunimin, agroturizmin, prodhimet bio, pra gjëra të mrekullueshme që janë prezente, por që ne nuk i kemi shfrytëzuar kurrë.

Përtej asaj që shohim, a ka një komunikim të vazhdueshëm midis Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës përgjatë ditës përsa i përket mënyrës se si organizohen takimet elektorale?

Kryemadhi: Patjetër që jemi në kontakt të përditshëm, patjetër që jemi në rakordim të përditshëm përsa i përket angazhimit të fushatës sonë, komisionerëve, vëzhguesve dhe të organizimeve të tjera. Të jeni të bindur që në çdo moment, jo vetëm stafi i Monikës me stafin e zotit Basha, por edhe ne vetë personalisht. Vasili është ai që mban më shumë marrëdhëniet me PD, për shkak sepse është edhe në listën e Tiranës ështe edhe më i fokusuar aty. Ndërkohë ne jemi të dy në lëvizje. Ajo që është më e rëndësishme, mos mendoni që fati i Edi Ramës varet nga humori i Monikës dhe i Lul Bashës. Fati i Edi Ramës varet nga vota e qytetarëve, prandaj secili nga ne duhet të çojmë qytetarët në kutinë e votimit, se nuk i bëhet vonë atij që është pa punë, që nuk ka mundësi të ushqejë fëmijën e tij, se si e ka humorin, Monika me Lulzim Bashën. Ai do punë, do tapinë e tokës, do të ketë fëmijë në shtëpinë e vet, nuk do të sorollatet rrugëve për të marrë një leje për të ndërtuar çatinë e shtëpisë që po i rrëzohet. Prandaj, mos harxhoni shumë kohë me të, por të merremi dhe të fokusohemi se pse qytetarët duhet të shkojnë te kutia e votimit në 25 prill.

Përfitoj nga rasti dhe u bëj thirrje që të gjithëve që në 25 prill të shkojë drejt kutive të votimit. Tani që u botua dhe në Fletoren Zyrtare edhe vendimi i qeverisë për shtyrjen e kartave të identitetit deri në 30 prill, sepse kjo vinte dhe si shkak i varfërisë së njerëzve që nuk kishin mundësi të paguanin një kartë identiteti sepse çdo vit vjen duke u shtuar. Kjo është edhe mënyra dhe mundësia për ti çuar njerëzit në kutinë e votimit, për ti dhënë verdiktin e tyre për të ndryshuar dhe sjellë një jetë më të mirë për ta.

Znj. Kryemadhi, kjo është fushata e dytë që kryeministri Rama ju ka etiketuar ju si një nga personat që ai anatemon më shumë, në këto zgjedhje, por edhe në vitin 2017. Ndërkohë ju nga njëra anë përpiqeni që të tregoni programet tuaja, nga ana tjetër keni një kryeministër që ju kujton shqiptarëve që nëse voton koalicionin opozitar, do të sjellë në pushtet, personat që kanë mbajtur pushtet.

Kryemadhi: Në fakt, personat që kanë mbajtur pushtet i ka Edi Rama në partinë e tij, për hir të së vërtetës. Nuk kam asnjë lloj problemi që Rama anatemon, kjo do të thotë se unë jam problem për të. Të jesh problem i Edi Ramës, sot do të thotë se je shpëtimtar i qytetarëve. Kë Rama ka problem, është shpëtimtar i shqiptarëve. Është një vlerësim që ai bën për mua, duke anatemuar Monikën, pavarësisht që nuk më shqetëson fare, por ndihem shumë mirë sepse kuptoj që është shumë keq, është i pashpresë, nuk ka asnjë mundësi të ndryshojë atë realitet që është faktikisht disfatist për të, por është shpresë për qytetarët shqiptarë. Përsa i përket pastaj profesionalizmit politik dhe mediatik që ai bën ajo pastaj ai është në momentin e tij dhe mua nuk me ngelet gjë tjetër që shumë shpejt ti bëj dhuratë një fletore vizatimi dhe ca lapsa me ngjyra. Po të dojë dhe një metër dhe një gërshërë meqë është në mes dilemës të vazhdojë të bëjë vizatimet e tij që nuk janë pranuar asnjëherë e nuk janë shitur asnjëherë, pse rrobaqepës me metër e gërshërë që të qepë kostumet e veta, pasi shikoj se ka probleme shumë të mëdha edhe psikologjike. Dhe po ti bëjmë një analizë psikologjike jam e bindur se do të ketë rrezikshmëri të madhe edhe me rrethin shoqëror me të cilin rri.

Është për koicidencë që mandati i presidentit të Republikës përfundon brenda një mandati qeverisës i cili nëse pas 25 prillit me votën e shqiptarëve do t’i besohet opozitës, do të jetë opozita sërish që do të ketë shumicën e votave në parlament për kreun e ri të shtetit. Ju personalisht do të donit një Ilir Meta në presidencë apo do të mbështesnit edhe një rikthim në forcën politike që krijoi?

Kryemadhi: Në fakt është një gjë që as nuk e kam menduar ndonjëherë. Mendoj që në gjithë objektivin tim politik, sot nuk ka të bëjë as, me karrierën e Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Lulzim Bashës, as ndonjë tjetri. Sot objektivi im politik është jo vetëm ndalimi i menjëhershëm i shpopullimit, por edhe rikthimi i të rinjve dhe të rejave në Shqipëri. Krijimi i një hapësire të madhe punësimi për të rinj dhe të reja, me një pagë të mirë paguar dhe çdo gjë që të jetë në funksion të qytetarëve shqiptar. Përsa i përket pastaj vendimit të z. Meta, i përket atij, se çfarë të jetë ai në të ardhmen, mbas 24 korrikut të 2022./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!