LSDM reagon pas deklaratave të Gruevskit

schedule14:50 - 3 Shkurt, 2019

schedule 14:50 - 3 Shkurt, 2019

Qeveria maqedonase ka hedhur poshtë deklaratat e bëra nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski se kishte lënë Maqedoninë për shkak të kërcënimeve me vdekje. Për LSDM-në, Gruevski mund të kthehet kur të dojë në Maqedoni, por vendin do ta ketë në qeli.

LSDM-ja i është përgjigjur deklaratës së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili deklaroi se një ditë të marrë fund “persekutimi i tij politik” në Hungari dhe do të mund të kthehet në Maqedoni. LSDM-ja vlerëson se Gruevski mund të kthehet në Maqedoni, por vetëm në burg.

“Maqedonia do të ketë një karrige në NATO, ndërsa frikacaku dhe i arratisuri nga drejtësia Nikola Gruevski po pret për vendin e tij në një qeli. Suksesi i Republikës së Maqedonisë është disfata më e madhe e tij. Mentori i Mickoskit nga Budapesti, po e luan rolin e viktimës me gënjeshtra patologjike”, vlerëson LSDM-ja.

Gruevski ka mohuar se ka pasur ndihmë nga autoritetet hungareze, kryesisht nga Kryeministri Orban. Thotë se ka vizita të shumta nga miq dhe bashkëpartiak të tij, por është shprehur i zhgënjyer nga disa ish-ministra të kabinetit të tij, për të cilët ka thënë se “miqtë e mirë njihen në kohë të vështira”. Ish-Kryeministri nuk mendon se i ka tradhtuar bashkëpartiakët e tij dhe ka theksuar se i kupton ata që janë shprehur kundër arratisjes së tij, për të cilët tha se janë nën presion të autoriteteve në Maqedoni. Ai në shumicën e pyetjeve nuk ka dhënë detaje që janë në interes të opinionit, duke bërë me dije se do t’i publikojë në memoaret e tij./abcnews.al