LSDM dhe BDI vendosin kushte për pajtimin

schedule22:25 - 26 Tetor, 2018

schedule 22:25 - 26 Tetor, 2018

Në prag të seancës së radhës për ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja e Prespës, shumica qeverisëse ka ftuar sërish opozitën për bashkëpunim. Por si LSDM edhe BDI kanë paralajmëruar se pajtimi politik nuk duhet kurrësesi të sjellë amnisti për personat e akuzuar për krime të rënda.

Të hënën në Kuvend vazhdon procedura e nisur për ndryshimet kushtetuese konform Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për shtesën gjeografike të emrit të Repupblikës së Maqedonisë. Debati, sipas rregullores, mund të konsumojë deri në dy muaj e gjysmë. Aleksandër Kiracovski nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë shpreson se opozita do të përfshihet në debatin në komisionet parlamentare, si dhe në atë në seancën plenare.

Aleksandër Koracovski: “Shpresoj se opozita do tejkalojë problemet e brendshme dhe do t’i shkrijë interesat partiake në interesa kombëtare. Bashkarisht do të marrim pjesë në procesin e pajtimit, por amnisti për ata që kanë kryer vepra të rënda penale nuk do të ketë”.

Sipas nënkryetares së BDI-së, Teuta Arifi, vullneti politik për pajtim, po ashtu shperehje drejt objektivit të përbashkët, integrimit në NATO dhe në BE, duhet të ketë mbështetje ligjore.

Teuta Arifi: “Eksperienca e mëhershme ka qenë që procedurat e nisura kanë vijuar deri në përfundime ligjore që janë sjellë nga parlamenti. Edhe në të kaluarën ka pasur kështu rastesh, por e rëndësishme është që është dëshmuar edhe vullnet politik”.

Analisti politik Albert Musliu beson se është e mundur që shumica e dy të tretave në Kuvend që dha dritën jeshile për nisjen e procesit të ndryshimit të Kushtetutës të rritet edhe më shumë:

Albert Musliu: “Jam i bindur se numri i deputetëve që mendojnë se implementimi i Prespës nuk ka alternativë dhe nëse zhvillohet debat konstruktiv, në fund të procesit numri i deputetëve do të jetë më i madh se ai që ishte fillimisht”.

Karshi kësaj, shtrohet edhe dilema nëse kushtet e parashtruara nga tetë deputetët opozitarë, vendimtarë për për arritjen e dy të tretave, mund të jenë barrierë për vënien në jetë të Marrëveshjes me Greqinë. Këtë mundësi nuk e përjashton as analisti Aleksandër Kërzhalovski:

Aleksandër Kërzhalovski: “Në çdo rast, interes i këtyre tetë deputetëve do të jetë që të shpëtohet sa më shumë nga Marrëveshja me Greqinë, të forcohet identiteti maqedonas, të merren garaci plotësuese se Greqia do t’i respektojë obligimet e veta, përkatësisht se nuk do të ketë reperkusione, gjithnjë përderisa ata nuk i përmbushin detyrimet e veta”’.

Musliu dhe Kërzhalovski nuk përjashtojnë mundësinë që gjatë debatit parlamentar për ndryshimet kushtetuese , subjekte politike, sikurse partitë opozitare shqiptare, ashtu edhe VMRO-DPMNE-ja, të paraqesin kërkesa respektivisht amendamente të tyre./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!