Joachim Low shpalli para dy ditësh listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e radhës të kombëtares gjermane. Të mërkurën është miqësorja kundër Argjentinës dhe të dielën transferta estoneze për eliminatoret e Euro 2020.
Nadiem Amiri ishte surpriza e radhës. Mesfushori i Bayer Leverkusen numëron 6 gola të shënuar në 24 ndeshje me Gjermaninë U21, teksa ka fituar edhe një Evropian në vitin 2017 me këtë ekip.
Ëndrra e tij për të luajtur me kombëtaren e madhe u realizua dhe 22-vjeçari zbulon një detaj interesant në lidhje me momentin që mori vesh lajmin e bukur. Në një prononcim për kanalin zyrtar të “Aspirinave”, lojtari me origjinë nga Afganistani tregon se si e mori vesh që do ishte pjesë e Gjermanisë.
“Më kërkuan të merrja trajnerin e kombëtares në telefon sepse nuk e kishte numrin tim. Në atë moment shpresat e mia u shtuan. E telefonova pas stërvitjes së ditës së enjte dhe më tha se do të isha pjesë e kombëtares së madhe. U lumturova pa masë dhe realizova ëndrrën time”, përfundon “xholi” i mesfushës së Leverkusen. /abcnews.al