Low apo Flick? Bierhoff i prerë: Gjermania e ka trajnerin, ta harrojmë Spanjën

schedule09:20 - 18 Nëntor, 2020

schedule 09:20 - 18 Nëntor, 2020

Një humbje e turpshme. Spanja shënoi gjashtë gola në portën e Gjermanisë dhe pozicioni i Joachim Low është vënë në diskutim. Gjithsesi jo në Federatën Gjermane të Futbollit (DFB). Pas disfatës, menaxheri i ekipin kombëtar, Oliver Bierhoff, tha se Low nuk lëviz nga kombëtarja.

“Absolutisht që Low do të jetë trajneri i Gjermanisë në EURO 2020. Kjo ndeshje nuk ndryshon asgjë. Ne besojmë te Joachim dhe nuk kemi asnjë dyshim për këtë. Kur bëhet fjalë për trajnerin e ekipit kombëtar, ju duhet të mendoni dhe të analizoni nga turneu në turne. Duam të arrijmë maksimumin në Europianin e vitit të ardhshëm.

Duhet të hedhim pas krahëve këtë humbje dhe do të duhet pak kohë. Gjithçka shkoi keq. E humbnim topin lehtë dhe ekipi u shpërbë. Kjo nuk duhet të ndodhte dhe duhet të mësojmë nga kjo humbje për të nxjerrë mësime të mira”, u shpreh për ARD ish-sulmuesi i Gjermanisë.

Pas humbjes nisi të përflitej Hans Flick si pasues i mundshëm i Low. Trajneri aktual i Bayern Munich ka qenë ndihmësi i tij në periudhën 2006-2014 te Gjermania, por Bierhoff thekson se për momentin nuk po diskutohet që Flick të marrë drejtimin e kombëtares.

“A i besoj atij? Sigurisht që po. A është një temë tani? Jo. Hansi e njeh shumë mirë federatën, nga brenda dhe nga jashtë. Ai ka cilësitë e tij dhe gjithmonë e ka thënë vlerësimin e tij për DFB. Momentalisht as për atë, as për ne nuk është temë diskutimi”, shprehet Bierhoff për Sport1. /abcnews.al