“Familja jonë është shkatërruar komplet” Këto janë fjalët e njërës prej tre vajzave të familjes Jaupaj. Për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, Albina tregoi se vdekja e babait dhe varfëria e madhe e ndanë në 4 copa familjen.
Një vendim i vështirë që u mor nga nëna e 4 fëmijëve, e cila vendosi t’i largojë fëmijët nga fshati me shpresën e një të ardhme më të mirë. Por varfëria e familjes Jaupaj është e madhe. E këtë na e tregon me lot në sy Albina, veçse 16 vjeç. Ajo nuk ka as rroba për të veshur, e ato veshje që kanë lënë pas dy motrat e saj më të mëdha, i përdor sot ajo.
“Pas humbjes së babit edhe motrat u larguan. Këtu në fshat nuk ka shkollë. Mua më ka marrë xhaxhai, ndërsa vëllain e ka marrë halla e babit në Fier që edhe ai të vazhdojë shkollën. Jemi larguar nga familja, nga mami… dmth familja është shkatërruar komplet. “-rrëfeu mes lotëve 16 vjeçarja.
Albina ka ëndërr të shkollohet, por siç thotë ajo… në të tilla kushte të vështira, shkolla do të mbetet vetëm një iluzion.
“Është shumë e vështirë, sepse mami nuk ka se me çfarë të na mbajë. Unë vesh rrobat e motrave të mia më të mëdha. Edhe fati im është i njëjtë si i motrave, ëndrra që kam për shkollë do të mbetet aty, pasi ne nuk kemi mundësi.”-tha 16 vjeçarja.