Brukseli konfirmoi se janë marrë të gjitha masat për një dalje pa marrëveshje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Por gjithsesi këto masa janë të njëanshme, të kufizuara dhe nuk zëvendësojnë marrëveshjen.
Gjithnjë e më pranë rrezikut të një skenari pa marrëveshje, Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare kanë nisur përgatitjet në rast të një daljeje traumatike të Britanisë së Madhe nga BE. Lajmi është konfirmuar me anë të një deklarate për media nga Komisioni Europian, duke shpjeguar se janë aktivizuar pothuajse të gjitha masat legjislative.
Edhe 27 vendet anëtare, pas misioneve të kryera në çdo shtet anëtar nga liderët e Brukselit, janë pothuajse gati, sipas burimeve të BE-së. ndërkohë që vende si Franca, Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Spanja kanë vendosur pika ndalese në kufi, kryesisht për produktet ushqimore duke angazhuar më shumë se një mijë roje kufitare më shumë.
Brukseli nënvizon se masat e marra nga Bashkimi Europian synojnë të shmangin sa më shumë dëme në transportin ajror, hekurudhor, rrugor dhe detar. Por dhe në lëvizjen e qytetarëve si dhe në menaxhimin e fondeve të përbashkëta të Bashkimit Europian. Por këto masa janë të njëanshme, të kufizuara në kohë dhe nuk zëvendësojnë marrëveshjen për Brexit./abcnews