Kina është e gatshme të zhvillojë një partneritet strategjik afatgjatë me Mbretërinë e Bashkuar. Kështu i tha Presidenti kinez Xi Jinping kryeministrit britanik Keir Starmer gjatë një takimi të enjten, 29 janar, një sinjal i qartë për ringjalljen e marrëdhënieve dypalëshe pas disa vitesh tensione.
Sipas një deklarate të publikuar nga mediat shtetërore kineze, të dyja palët ranë dakord të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha kyçe si arsimi, shëndetësia, financa, si dhe në kërkimin shkencor në inteligjencën artificiale, shkencat biologjike dhe zhvillimin e energjive të reja.
Pekini njoftoi gjithashtu se po shqyrton mundësinë e hyrjes pa viza për shtetasit britanikë, ndërsa i bëri thirrje Londrës të krijojë një mjedis të drejtë dhe jo diskriminues për kompanitë kineze që operojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga ana e tij, Keir Starmer deklaroi se Britania synon të ndërtojë marrëdhënie “më të sofistikuara” me Kinën.
Vizita e Starmer në Kinë zgjat 4 ditë dhe është vizita e parë e një kryeministri britanik në Pekin pas 8 vitesh, duke sinjalizuar një përpjekje për rivendosjen e dialogut pas një periudhe të gjatë mosbesimi dhe përplasjesh diplomatike.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan ndjeshëm vitet e fundit, pasi Mbretëria e Bashkuar akuzoi Kinën për aktivitete spiunazhi dhe e cilësoi atë si një sfidë strategjike afatgjatë. Po ashtu, goditja e protestave pro-demokracisë në Hong Kong, ish-koloni britanike, dhe miratimi i një ligji të gjerë për sigurinë kombëtare në vitin 2020, thelluan më tej tensionet.
Vizita e Starmer vjen në një moment kur politika e jashtme e Presidentit amerikan Donald Trump, si dhe kërcënimet për tarifa tregtare, kanë tronditur aleatët tradicionalë të SHBA-ve. Ndërkohë, Pekini ka pritur këtë muaj disa liderë perëndimorë, përfshirë Kryeministrin e Kanadasë Mark Carney, Kryeministrin e Irlandës Michael Martin, vizita e parë e një lideri irlandez pas 14 vitesh, si dhe Kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo.
Gjatë takimit, Xi Jinping paralajmëroi se “unilateralizmi, proteksionizmi dhe politika e forcës janë përhapur ndjeshëm, duke dëmtuar rendin ndërkombëtar”, duke u bërë thirrje ekonomive të mëdha të marrin drejtimin në zbatimin e ligjit ndërkombëtar. Në të kundërt, tha ai, bota rrezikon të rrëshqasë drejt një “sistemi të ngjashëm me xhunglën”.
Të mërkurën, 28 janar, Keir Starmer u bëri thirrje dhjetëra drejtuesve të bizneseve britanike që e shoqërojnë në vizitë të shfrytëzojnë mundësitë që ofron ekonomia e dytë më e madhe në botë.
Në një deklaratë zyrtare, qeveria britanike theksoi se do të ndjekë një marrëdhënie “strategjike dhe të qëndrueshme” me Pekinin, duke synuar rritjen e investimeve dhe tregtisë, por duke mbetur njëkohësisht vigjilente ndaj rreziqeve të mundshme për sigurinë kombëtare.
Javën e kaluar, autoritetet britanike miratuan planet për hapjen e një ambasade të re të madhe kineze në Londër, një projekt që kishte mbetur i bllokuar për vite për shkak të shqetësimeve politike dhe të sigurisë.
Lëvizja diplomatike e Starmer duket se pasqyron edhe qasjen e Kanadasë, e cila këtë muaj nënshkroi një marrëveshje tregtare me Kinën pas një vizite nga Mark Carney, ndërsa Otava po kërkon të diversifikojë partnerët e saj tregtarë përballë tensioneve të vazhdueshme me Washingtonin.


