Ende pa u shuar polemikat për “Topin e Artë”, FIFA paralajmëron një tjetër garë të fortë për trofeun tjetër individual të futbollit siç është ai i “Lojtarit më të mirë të vitit”.
Qeveria botërore e futbollit ka zyrtarizuar finalistët për “FIFA the Best”, ndërsa në listë janë të gjithë ata që diskutuan “Topin e Artë”: Rodri, Vinicius Junior, Dani Karvajal apo Bellingham.
Po ashtu, në listën e gjatë të pretendentëve janë Haland, Toni Kros, Mbape, Jamal, Virtz dhe Lionel Messi.
“Pleshti” kthehet në një garë personale, pasi u la jashtë nominimeve për “Topin e Artë” për herë të parë në 15 vitet e fundit.
Krejt I ndryshëm është diskutimi për Kristiano Ronaldo, që nuk llogaritet në këtë garë.
Për momentin nuk ka një favorit në parashikime, ndërsa modalitetet e votimit janë ndryshe nga ato të “Topit të Artë”.
Për “FIFA the Best” votojnë gjithë trajnerët dhe kapitenët e kombëtareve.
Po ashtu, qeveria botërore e futbollit ka përcaktuar edhe finalistët në garat për trofetë e tjerë, për portierin, mbrojtësin, mesfushorin dhe sulmuesin më të mirë të vitit.
Një sfidë tjetër e fortë është ajo për “Trajnerin e Vitit”, trofe që do të diskutohet nga Ançeloti, Guardiola, Alonso, Skaloni dhe De La Fuente.
Në ceremoninë e organizuar nga FIFA do të zgjidhet gjithashtu “Lojtarja më e mirë e Vitit” dhe “Goli më i Bukur”.