Lojërat Olimpike, Veliaj pret dy mundësit e Tiranës: Ngritja e flamurit të Shqipërisë është përgjigjja e duhur për ata dhunojnë dhe djegin flamurin”

schedule18:16 - 13 Korrik, 2024

schedule 18:16 - 13 Korrik, 2024

Gjashtë nga tetë pjesëtarët e ekipit tonë olimpik, që do të garojnë në Lojërat Olimpike Paris 2024, janë pjesë e ekipit të Sport Klub Tiranës.

Përpara nisjes së tyre, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti dy kampionët e mundjes, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, të cilët do të garojnë me ngjyrat kuqezi.

Veliaj u shpreh besimplotë se dy kampionët tanë do të na përfaqësojnë denjësisht. “Mezi pres që t’i zbardhim faqen e Shqipërinë pas gjithë investimit të Bashkisë së Tiranës dhe të Klubit të Tiranës. Mundja është një nga sportet më kompetitive, megjithatë jam vërtet shpresëplotë. Shikoj se kemi një mundësi ideale për të frymëzuar një brez të ri. Kur shikojmë shumë anti-modele, shumë dhunë, shumë vulgaritet, shumë zjarr, shumë djegie, shumë sharje dhe fyerje, ne na duhet ‘fair play’. Na duhet lojë skuadre, na duhet besimi te puna, besimi te djersa, besimi te talenti. Çunat kanë një përgjegjësi, përtej medaljes dhe fitores, për të treguar modele të reja që na frymëzojnë, kur kultura e mund anti-kulturën, shpirti sportiv e mund shpirtin e rrugës”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku tha se ngritja e flamurit të Shqipërisë, në një kohë kur ka ende persona që e djegin atë, është përgjigjja më e duhur se si vendi shkon përpara. “Përtej përfaqësimit në skuadrën olimpike, përtej medaljeve, unë besoj se ngritja e flamurit të Shqipërisë – sidomos kur kemi njerëz që djegin atë – është ndoshta përgjigjja më e duhur se si shkon përpara vendi dhe se si i arrijmë gjërat me punë. Skuadra jonë është njësoj si Shqipëria, gjithmonë e më shumë kozmopolitane. Kjo do të thotë se për sa kohë që në Tiranë nga shtetësi të ndryshme, origjina të ndryshme, po prodhojmë atë që quhet skuadra e Tironës dhe skuadra e Shqipërisë, kjo do të thotë se edhe skuadra jonë olimpike do të përfaqësojë këtë realitet të Shqipërisë, të një Shqipërie që në vend që të ikin dhe të luftojnë për flamuj të tjerë, në fakt janë të tjerët që shohin se talenti i tyre mund të aplikohet në një skuadër si skuadra jonë olimpike”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë bëri të ditur se ka pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm edhe nga Bashkia e Parisit, në mënyrë që ekipit tonë olimpik të mos i mungojë asgjë. “Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ka bërë çmos që ekipit tonë të mos i mungojë asgjë. Pjesa më e madhe e aktiviteteve do të ndodhin në qendër të qytetit, kështu që, edhe nga Bashkia e Parisit kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Bashkia e Tiranës ka kaluar një fond pranë Komitetit Olimpik, meqënëse kemi 75% të skuadrës, na takon edhe të jemi kontribuesit kryesorë”, tha Veliaj.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, ish-mundësi Sahit Prizreni u shpreh optimist se dy mundësit tanë kanë të gjitha shanset për t’u kthyer me medalje në atdhe. Ai i shprehu mirënjohjen kryebashkiakiut Veliaj për mbështetjen për sportin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!