Lojëra lufte në Azinë juglindore

schedule23:58 - 2 Tetor, 2018

schedule 23:58 - 2 Tetor, 2018

Deti i Kinës së Jugut është kthyer në një zonë manovrash ushtarake, që për pak kanë çuar në një përplasje mes marinës amerikane dhe asaj kineze. Kjo e fundit akuzon Shtetet e Bashkuara për shkelje të ujërave territoriale, që pretendohen nga Pekini dhe 5 vende fqinje.

Një anije luftarake kineze ka detyruar një shkatërrues amerikan të ndryshojë kurs në detin e Kinës së Jugut, duke lundruar fare pranë saj. Sipas palës kineze, luftanija amerikane “Dekatur” po lundronte në ujërat pranë ishujve Spratli, të pretenduara nga Pekini.

Kolegia e saj kineze “Lujang” i është afruar 41 milje detare, një lëvizje që amerikanët e kanë cilësuar të rrezikshme dhe joprofesionale. Shtetet e Bashkuara acarojnë shpesh herë Kinën me misionet e tyre në kuadër të lirisë së lundrimit.

Deti i Kinës së Jugut, ku ndodhen akse të rëndësishme tregtare, është kthyer në vitet e fundit në “mollë sherri” mes Kinës dhe vendeve fqine, që kanë gjithashtu pretendime territoriale. Taivani, Filipinet, Brunei, Malajzia dhe Vietnami janë vendet që duan pjesën e tyre, por Kina pretendon pjesën e luanit dhe shpesh herë ka akuzuar marinën e Shteteve të Bashkuara për ndërhyrje në çështjet rajonale.

Ligji ndërkombëtar thotë se shtetet mund të kenë pretendime territoriale deri në një limit prej 12 miljesh detare, por amerikanët shpesh herë e tejkalojnë atë për të treguar se nuk e njohin autoritetin e “dragoit” aziatik. Komandanti i marinës Nejt Kristensen ka deklaruar se manovra e palës kineze për pak shkaktoi një përplasje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!