Lufta që filloi dhjetë vite më parë në Libi me përmbysjen e udhëheqësit Muammar Gaddafi është shndërruar në vitet e fundit në një luftë proxy (përplasjeje e armatosur mes dy ose më shumë grupe, apo vendesh, që nga ana e tyre përfaqësojnë interesat e vendeve më të mëdha).
Rusia dhe Turqia janë në garë për të fituar më shumë ndikim në Mesdhe. Presidenti rus Vladimir Putin mbështet gjeneralin e Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA) Khalifa Haftar dhe Presidenti turk Tayyip Erdogan mbështet të ashtuquajturën Qeveri të Unitetit Kombëtar.
Libia ka qenë në armëpushim që nga tetori i vitit të kaluar, një armëpushim të cilin OKB e ka mbështetur duke u kërkuar të gjithë luftëtarëve të huaj të largohen nga vendi. Moska gjithashtu ka mbështetur iniciativën e OKB-së, por fsheh shkallën e përfshirjes së saj në luftën civile në Libi: me ushtarë rusë dhe mercenarë rusë të të ashtuquajturit Grupi Wagner që luftojnë në vijat e para të luftës, raporton abcnews.al
Në rrjete sociale qarkullojnë disa video të dyshimta, ku shihen mercenarë që flasin rusisht që janë arrestuar nga ushtarakët e qeverisë libiane. Me shumë mundësi kjo është propagandë. E vetmja gjë e sigurt është se vitet e fundit, Libia është bërë një burim konflikti midis mercenarëve, në të cilin, përveç rusëve, kryesisht sudanezët, luftëtarë nga Çadi por edhe sirianët janë përfshirë në konflikt.
Çdo konflikt i armatosur matet me para. Wagner Group i Rusisë besohet se kërkon 175 milion dollarë për shërbime tremujore, ndërsa mercenarët arabë pritet të marrin 800 deri në 1,200 dollarë.
Duke iu referuar mercenarëve, eksperti ushtarak amerikan Sean McFaite tha për ABC: “mercenarët kanë plotësuar një kontratë. Ata nuk kanë pse të jenë të ashpër, pasi Hollywood pëlqen t’i portretizojë si të tillë, mercenarët janë vetëm mjete”.
Asgjë nuk mishëron më tepër paranojën e luftës civile në Libi aq sa mercenarët sirianë, të cilët janë 13,000. Disa prej tyre janë nga rajoni i Damaskut, i cili kontrollohet nga Asad. Pjesa tjetër janë nga pjesa veriore e Sirisë e cila kontrollohet nga Turqia, raporton abcnews.al
Ata rekrutohen nga rusët dhe nga turqit dhe vriten me njëri-tjetrin në Libi. Në vend të tërheqjes së mercenarëve siç është kërkuar nga OKB, Ankaraja kohët e fundit dërgoi 380 luftëtarë të tjerë në Libi, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut./abcnews.al