Loja e Erdoganit: Pse Turqia është kthyer kundër Perëndimit

schedule10:35 - 30 Tetor, 2020

schedule 10:35 - 30 Tetor, 2020

Nga Francis Pike, The Spectator

Gjashtë vjet më parë, në ndeshjen inauguruese të stadiumit të ri ekipit të Bashakshehir në Stamboll, u shfaq një yll i pazakontë i futbollit. Lojtari i moshuar i skuadrës së kuqe, kaloi duke dribluar disa lojtarë kundërshtarë dhe në fund portierin, duke e çuar topin në rrjetë dhe stadiumin në ekstazë.

Autori i golit ishte kryeministri Rexhep Taip Erdogan, pikërish pak javë para se ai të bëhej presidenti i 12-të i vendit të tij. Për Erdoganin, një ish-futbollist gjysmë-profesionist, ai moment ishte një promovim i shkëlqyer i vetvetes.

Ashtu si Fidel Kastro që luante bejsboll, apo Mao Ce Duni që vendoste “rekorde botërore” duke notuar në lumin Jance, shfaqja sportive e Erdoganit e ndihmoi atë ta ndërtonte më tej kultin e tij. Në 18 vite, që nga fitorja në zgjedhje si kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), ai e ka përdorur kultin e tij të personalitetit për të përmbysur dominimin institucional të pasuesve laikë dhe pro-perëndimorë të themeluesit të Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturkut, duke e shndërruar Turqinë në një shtet islamik autoritar anti-Evropian.

Tri ngjarje aktuale – të cilat e kundërvënë presidentin Erdogan me BE dhe SHBA – tregojnë shkallën e transformimit të Turqisë. Në Mesdheun Lindor, në kërkim të naftës dhe gazit, Turqia po synon të shfrytëzojë zonën për përfitimet e veta, në kurriz të “aleatëve” në NATO, Greqisë dhe Qipros.

Ndërkohë, Erdogan po i jep haptazi mbështetje ushtarake Azerbajxhanit mysliman, për të rimarrë rajonin e Nagorno-Karabakut nga Armenia e krishterë, armikja historike e Turqisë.

Por asgjë nuk e tregon më shumë ndryshimin në marrëdhëniet Turqi-BE, se sa deklarata e fortë e Erdoganit këtë javë ndaj presidentit francez Emanuel Makron, si një njeri që ka nevojë për “trajtim mendor”, pasi foli kundër Islamit radikal, pas prerjes së kokës së mësuesit francez Samuel Pati.

Duke udhëhequr thirrjen për bojkot ndaj produkteve franceze, Erdogan ka goditur jo vetëm Francën por edhe Perëndimin, duke i përshkruar udhëheqësit e Evropës si “hallka në zinxhirin e nazizmit”. Po si arritën gjërat deri në këtë pikë?

Islamizimi i Turqisë u përshpejtua nga grushti i dështuar ushtarak i vitit 2016. U kryen 50.000 arrestime, gjyqësori u spastrua nga Kemalistët e tij, ndërsa ushtria, e vendosur nën kontrollin civil nga ana e Erdoganit që në vitin 2004, u spastrua nga komandantët e saj shekullarë.

Gazetarët e opozitës u burgosën, ndërsa Erdogan e quajti grushtin e dështuar të shtetit një “dhuratë nga Zoti”. Njëherazi me transformimin nga Erdogan të kushtetutës turke dhe strukturave të pushtetit, është zbatuar politika e tij e jashtme, i ashtuquajturi “neo-otomanizëm”.

Strategjia ndërkombëtare e Turqisë që nga Traktati i Lozanës i vitit 1923, kishte qenë e patundur e orientuar drejt Perëndimit. Kjo qasje u forcua pas krijimit të Bashkimit Sovjetik, që e nxiti Turqinë t’i bashkohej NATO- në vitin 1952, rreth 3 vjet para Gjermanisë Perëndimore.

Copëzimi i Bashkimit Sovjetik ndryshoi gjithçka. Kërcënimi rus u zbeh. Franca dhe Gjermania kundërshtuar anëtarësimin e Turqisë në BE, edhe pse Ankaraja ishte lejuar t’i bashkohej unionit doganor të BE-së në vitin 1995. Erdogan ishte ndoshta i lumtur nga drejtimi që morën gjërat.

Teksa ekonomia turke nisi të përjetonte një bum, falë edhe kredive perëndimore, ai u ndje mjaftueshëm i sigurt për të filluar një politikë të jashtme neo-otomane. Rezultatet ishin në fillim katastrofike. Synimi i Erdoganit për të zëvendësuar regjimin e presidentit Asad në Siri me një qeveri miqësore të Vëllazërisë Myslimane, dështoi në mënyrë spektakolare. Pavarësisht mbështetjes së Turqisë, lideri i Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit, Muhamed Morsi, i zgjedhur si president pas rrëzimit të presidentit autoritar Mubarak gjatë “’Pranverës Arabe”, u rrëzua nga një grusht shteti ushtarak.

Armiqësia ndaj ndërhyrjeve të Erdogan, veçanërisht nga ana e Arabisë Saudite, ishte e tillë që Katari ishte i vetmi vend i Lindjes së Mesme që e dërgoi presidentin e vet në ceremoninë e inaugurimit të Erdogan si president në vitin 2014. Edhe vendet e BE, ishin po aq indiferente.

Mosrespektimi në rritje i Erdoganit ndaj Perëndimin, u duk nga mbështetja që i dha Khaled Mashal, komandantit ushtarak të Hamasit gjatë një vizitoi që ai zhvilloi në Turqi. Sa për Arabinë Saudite, Erdogan mori hak duke zbuluar në mediat globale masakrimin e gazetarit disident saudit Xhamal Kashoxhi në konsullatën saudite në Stamboll.

Nëse politikat e Erdoganit në Lindjen e Mesme, ishin kryekëput fetaro-politike në vitet e para të qeverisjes së tij, politika e tij e jashtme që nga maji i 2016-ës, kur ai shkarkoi nga detyra aleatin e tij të vjetër dhe mësuesin e tij mbi politikën e jashtme Ahmet Davutoglu, është karakterizuar nga një pragmatizëm i pamëshirshëm.

Realpolitika, është sigurisht e nevojshme për të drejtuar një vend për të cilin kanë një interes jetik gjeo-politik të gjitha superfuqitë e mëdha, SHBA-ja, Kina, Evropa dhe Rusia). Turqia zotëron disa leva që mund t’i përdorë kundër BE.

Dy më të rëndësishmet janë furnizimi me gaz natyror i Azisë Qendrore përmes gazsjellësve që kalojnë nëpër Turqi, të cilat Evropës i duhen me patjetër që të zvogëlojë varësinë nga Rusia, dhe kontrolli i lëvizjes së refugjatëve sirianë.

Marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë, janë gjithashtu të natyrës transaksionale. Ata nuk janë miq natyralë. Që nga mesi i shekullit XVII-të kanë zhvilluar 6 luftëra të mëdha midis tyre – 7 nëse llogarisim dhe Luftën e Ftohtë.

Por sapo Rusia ndërhyri ushtarakisht në Siri në anën e qeverisë së Damaskut, Erdogani hoqi dorë nga qëllimi i tij për të përmbysur presidentin Asad. Një moment tensioni pas rrëzimit të një avioni luftarak rus, u menaxhua pa shumë probleme.

Në këmbim të pajtueshmërisë me qëllimet ruse në rajon, Putini i dha Erdoganit mundësinë të spastronte njësitë terroristë të partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Afrin dhe Koban. Pas zhvendosjes prej andej të qindra mijëra civilëve kurdë, Erdogan ka krijuar aty një zonë sigurie prej 32-48 km brenda kufirit të Sirisë me Turqinë.

Aneksimi përfundimtar i këtyre zonave, duket shumë i mundshëm. Por ekzistojnë edhe arsye të tjera të paktit jozyrtar turko-rus. Rusia i shet çdo vit Turqisë 40 miliardë dollarë gaz natyror, duke mundësuar rritjen e shpejtë industriale të kësaj të fundit.

Rusët kanë tejkaluar edhe Gjermaninë, edhe për sa i përket numrit të turistëve në plazhet turke. Pra në rrafshin ekonomik, që të dyja vendet kanë nevojë për njëra-tjetrën. Erdogani po luan me kujdes me Rusinë kundër Evropës dhe SHBA, për të përmbushur nevojat e Turqisë. Kur i shpëtoi vrasjes gjatë përpjekjes për grusht shteti në vitin 2016, Putini e telefonoi që të nesërmen. Ndërkohë, Barak Obama qëndroi i heshtur edhe pse vetëm 4 vjet më parë, ai e kishte quajtur Erdoganin si një nga 5 miqtë e tij ndërkombëtarë më të besuar.

Marrëdhënia mes tyre ishte ftohur, ndërsa Erdogan refuzoi të ndihmojë kurdët për të luftuar ISIS-in në Sirinë veriore. Njëkohësisht, media perëndimore u kthye kundër sjelljes gjithnjë e më autokratike të Erdoganit. Duke e lexuar situatën, Erdogan u distancua nga Obama dhe u  afrua me Putinin.

Presidenti turk arriti një tjetër kthesë të jashtëzakonshme në marrëdhënien e tij me Donald Trumpin. Në qershor 2016, Erdogan u ankua se Trump nuk kishte asnjë lloj tolerance ndaj myslimanëve që jetojnë në SHBA, teksa kërkoi heqjen e emrit të tij nga Kulla Trump në Stamboll.

Që atëherë dhëndurët e Erdogan dhe Trump, përkatësisht ministri i financave Berat Albajrak dhe Xhared Kushner, janë angazhuar në diplomacinë e familjes në prapesknë. Dhe negociatat dhanë rezultat. Administrata e Trump hoqi sanksionet ndaj Halkbank, një kompani shtetërore e akuzuar nga FBI për ndihmë ndaj Iranit.

Edhe sanksionet e qeverisë amerikane ndaj Turqisë, pas blerjes së raketave ruse S-400, të dizenjuara të rrëzojnë avionët e NATO-s, gjithashtu janë shtyrë. Ndërkohë Erdogan e bindi Trumpin të tërhiqte trupat amerikane nga Siria Veriore.

Gjithsesi, raporti SHBA-Turqi mbetet delikat, dhe jo vetëm sepse Trump mund të humbasë garën presidenciale javën e ardhshme. Në muajt e fundit, marrëdhëniet me Greqinë dhe Qipron, të dy armiq historikë, kanë rënë në pikën e tyre më të ulët që nga pushtimi turk i Qipros Veriore në vitin 1974.

Majk Pompeo e ka vizituar 2 herë Greqinë gjatë vitit të kaluar, dhe ka bërë një paralajmërim të koduar se SHBA do të përdorë “të gjitha mjetet e duhura… për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon”. Ka shumë të ngjarë që kërcënimet e Erdoganit, të jenë një taktikë negociuese e ashpër, për të fituar lejen për kërkime për naftë dhe gaz në Mesdheun Lindor.

Por deri tani shembulli më intrigues i transformimit të Erdoganit nga një ideolog fetar i ngathët, në një mjeshtër të realpolitikës, janë marrëdhëniet e tij të fundit me Kinën. Erdogani, ishte dikur një kritik i vendosur ndaj trajtimit që Kina u bën ujgurëve myslimanë dhe turqishtfolës në Xinjiang. Tani ai është bërë përndjekësi i tyre. Arrestimi i qindra ujgurëve që banojnë në Turqi, pasoi nënshkrimin e një marrëveshje ekstradimi me Kinën në vitin 2017. Kjo ngjarje zbulon hipokrizinë absurde të Erdoganit, se Makron po i shtyp myslimanët në Francë.

Përfitimet ekonomike të Turqisë nga Kina, kanë qenë jetike për mbijetesën e regjimit. Kur lira turke u zhvlerësua me 40 për qind 2 vjet më parë, ishte më shumë Kina sesa Evropa dhe Amerika, ajo që e shpëtoi me një hua prej 3.6 miliardë dollarësh.

Kjo u pasua nga një mori investimesh kineze, dhe mbështetje të tjera financiare, sidomos ato që kanë lidhje me “Rrugën e Re të Mëndafshit” të Kinës. Duke pasur parasysh ndërhyrjet që Rusia dhe Kina kanë bërë në Turqi, a do të thotë kjo se Erdogani e ka shkëputur përgjithmonë marrëdhënien e saj shekullore e thuajse nënshtruese me Evropën?

Ndoshta. Por është e qartë se BE, e privuar nga një plan gjeopolitik global, dhe e penguar nga një strukturë sklerotike politike dhe burokratike, nuk ka arritur që të lidhet si duhet me vendet në periferinë e saj gjeografike. Ndërkohë Erdogan, një ish-futbollist, ka mësuar se si ta luajë lojën e “xhonglimeve me topin”, me të gjitha aftësitë e një fituesi të Topit të Artë.

/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!