Në një intervistë në “Money Report”, drejtori i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla foli për llogaritë e pagesave për shërbimet bazike.
Gjithashtu gjatë kësaj interviste, Deralla theksoi se nëse deri më sot një pjesë e popullsisë nuk i është ofruar bankave duke menduar që mund të ketë kosto shtesë për llogarinë e tyre, në këtë rast me këtë ligj të ri të gjitha bankat janë të detyruara të hapin llogari për këto shtresa pa asnjë kosto.
“Ky draftligj është një përfarim i mëtejshëm i kuadrit rregullativ shqiptar me atë europian. Është gjithashtu pjesë e një fushatë të gjerë të ndërmarrë që nga vitit 2020 nga BSh në lidhje me edukimin financiar me përfshirjen financiare. Llogaria bazike do të jetë një element i ri që do ti shtohet aktivitetit të bankës. Banka do të jetë e detyruar të hapë llogari pa asnjë lloj kostoje për të gjitha shtresat e popullsisë që ende nuk e kanë një llogari të tillë. Këtu do të përfshihen të gjitha ato shtresa popullsie që sot janë të marxhinalizuara. Banka do të jetë e detyruar të hapë një llogari bankare që do të ofrojë shërbime bazike. Në rastin e llogarisë bazike këtyre pensionistëve do ti mundësohet hapja e një llogarie do t’u jepet një kartë debiti duke bërë të mundur që ata vetë, apo njerëzit e afërt të tërheqin paratë kurdo qoftë nëpërmjet kësaj banke apo ATM-ve kudo që ato janë. Banka e Shqipërisë që nga viti 2020 me miratimin e ligjit për shërbimin e pagesave, filloi një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi në masën e gjerë të popullsisë, një fushatë uljes së kostove. Është krijuar një grup punë që drejtohet nga Banka e Shqipërisë ku përfshihen një sërë institucionesh për të shtruar aktivitetet e tyre në drejtim të ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar dhe të përfshirjes financiare të shtresave më të gjera të popullsisë. Dhe besoj se do të kemi rezultatet e duhura brenda një periudhe të shkurtër.”, tha ndër të tjera ai./abcnews.al/

