Delegacioni i Komisionit të Venecias, i cili mbërriti sot në Shqipëri, është takuar me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj.
Përmes një postimi në Facebook, Lleshaj njofton se në këtë takim u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, që u zhvilluan të qeta dhe pa skenarë dhune.
“Sot pata nderin dhe përgjegjësinë për të shprehur përpara një delegacioni të Komisionit të Venecias, vlerësimet e mia lidhur me zhvillimet politike të këtij viti të ngarkuar me ngjarje të pazakonta, që kulmuan me përpjekjet e shumëfishta për të cënuar të drejtën e zgjedhjeve demokratike në vend.
Theksova se përpjekjet e dhunshme për destabilizim, nuk arritën të shndërrohen në ndonjë kërcënim serioz për sigurinë e vendit, falë pjekurisë së qytetarëve shqiptarë, që nuk u bënë pjesë e skenarëve të dhunës dhe e profesionalizmit të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera ligjzbatuese”, shkruan ministri Lleshaj, duke theksuar se “ishin pikërisht këta faktorë, të cilët mundësuan që zgjedhjet vendore të zhvilloheshin rregullisht dhe që skenarët apokaliptikë, të imagjinuar apo të dëshiruar, nuk u bënë realitet dhe që Shqipëria të mos binte në një qerthull të rrezikshëm destabiliteti. Takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias ishte mjaft profesional dhe me shumë përmbajtje”.
Delegacioni i Komisionit të Venecias ndodhet në Tiranë me kërkesë së Kuvendit të Shqipërisë për Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta lidhur me dekretin e tij për shfuqizimin e 30 Qershorit. /abcnews.al