Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, nuk është aspak i qetë gjatë fazës përgatitore. Kampionët e Europës kanë pësuar dy humbje dhe pritet ta kenë shumë të vështirë në fillim të sezonit.
Nisja e përgatitjeve nuk e tregoi shqetësimin, ndonëse ai ishte.
Liverpuli, kampion i Europës dhe nënkampion i Anglisë, nuk mund të kishte gjendje më të keqe ndërsa filloi faza përgatitore e verës.
Me mjaft yje të ngarkuar gjatë sezonit të gjatë, trajneri Jurgen Klop e pati të vështirë të punontë si përherë, diçka që mund të lerë shenjë gjatë edicionit që pritet të nisë.
Sadio Mane arriti deri në finalen e Kupës së Afrikës, ku ishte i impenjuar edhe Mohamed Salah, ndërsa Roberto Firmino dhe Alison fituan Kupën e Amerikës me Brazilin.
Shtoi këtyre edhe Van Dajkun, Vajnaldumin dhe lojtarët e kombëtares angleze, që ishin në finalet e Ligës së Kombeve, dhe panorama bëhet e plotë.
Kjo u duk me të filluar ndeshjet e verës, kur Liverpuli humbi fillimisht 2-3 ndaj Dortmundit në miqësoren e luajtur në stadiumin “Notrë Damë” të Indianës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë e di sesa e vështirë është gjendja jonë tani për tani, – u shpreh gjermani, – ky është realiteti, është e papranueshme, dhe është problem i madh afatgjatë.
Lojtarët tanë kanë bërë shumë pak pushim, dhe ky kalendar duhet të ndryshojë. Do të kemi një fillim të vështirë të sezonit”.
Forma jo bindëse e fituesve të Championsit vazhdoi edhe me humbjen ndaj Seviljes, ndërsa shqetësimi i madh i Klopit është se sezoni i ri i Premier Ligës nis në 9 gusht dhe Liverpuli mund të dëmtohet shumë nga vonesa në përgatitje./ABC News Albania 24/7