Liverpuli kthehet në krye të Premier Ligës angleze pas fitores 2-1 ndaj Fulhamit

schedule19:30 - 17 Mars, 2019

schedule 19:30 - 17 Mars, 2019

Liverpuli u kthye në krye të renditjes së Premier Ligës angleze, pas fitores në fushën e Fulhamit. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop bëri gabime, por pati nerva të forta për të reaguar.

Pas ndeshjes në Mynih sërish u ngritën në qiell lavdet për të. Virgil Van Dajk është jo vetëm mbrojtësi më i shtrenjë në botë, por edhe më i lavdëruari dhe Liverpuli, padyshim, është me fat që e ka, veçse edhe ai mund të gabojë.

Si njeri prej mishi e gjaku, edhe holandezi bëri një dhuratë krejt të pazakonshme në fushën e Fulhamit, duke i dhënë mundësi vendasve që të barazonin rezultatin në 1-1.

Ish-lojtari i të kuqve, Rajan Babel, i dha një goditje të madhe ekipit ku luajti për disa vjet, veçse jo fatale.

Jo më kot, trajneri Jurgen Klop thoshte me bindje se skuadra e tij ishte e pjekur sa duhet për të luftuar për titull deri në fund, dhe se ishte në gjendje të përballonte tronditjet e forta.

Liverpuli fitoi 2-1 dhe u rikthye në krye të Premier Ligës me dy pikë më shumë se Mançester Siti, veçse me një ndeshje më shumë të luajtur.

Kampionët u angazhuan në Kupë këtë fundjavë, ndaj do ta luajnë më vonë takimin e tyre.

Njeriu i momentit, Sadio Mane, shënoi golin e parë për miqtë në minutën e 26-të, ndërsa Xhejms Milner ishte autor i rrjetës që vendosi ndeshjen, 9 minuta para fundit.

Ai nuk gaboi nga pika e 11-metërshit, fituar gjithashtu nga Mane.

Nuk ishte ndeshja më e mirë e Liverpulit, dhe vështirë që të ishte pas shpenzimit të madh të energjive për kualifikimin në Champions ndaj Bajernit.

Në Angli thonë se paraqitje të tilla quhen “bukë e gjalpë” dhe janë karakteristika të skuadrave të forta që meritojnë të fitojnë tituj.

Liverpuli ka 76 pikë në 31 ndeshje, ndaj 74 të Sitit që ka luajtur 30. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!