Liverpool sheh “djajtë”/ Derbi i Anglisë mbyllet 2-2, pas një dueli për “infarkt”

schedule12:41 - 6 Janar, 2025

schedule 12:41 - 6 Janar, 2025

Kur një skuadër mund Mançester Sitin në “Etihad”, duhet ta besoni se është e aftë për gjithçka.

Kur një ekip, rekordmeni I titujve në vendin e tij, është në rrezik të pësojë një turpërim që nuk e njeh prej 45 viteve, duhet të ruheni prej tij.

Mançester Junajtid është I tillë, pavarësisht se ngjan me një fisnik të rënë nga vakti, dhe madhështinë e krenarisë së tij e provoi edhe Liverpuli, me gjasë ekipi më I mirë I Europës deri tani këtë sezon.

Derbi i vërtetë i Anglisë në stadiumin mitik “Anfild” përfundoi 2-2, me përmbysje dhe me emocione siç I takonte.

“Djajtë e kuq” kaluan në epërsi në duelin e Premier Ligës, kur argjentinasi Lisandro Lopez shënoi në nisje të pjesës së dytë.

Ajo që ndodhi ishte krejt kundër rrjetës së lojës deri në ato çaste, dhe Liverpuli barazoi shpejt.

Shtatë minuta më pas, në 59’, sulmuesi holandez, Kodi Gakpo, shleu gabimet e mëparshme para portës.

Kur Mohamed Salah kaloi kryesuesit e kampionatit në epërsi, u mendua se Junajtidi kaq e pat.

Ishte 70’, dhe me penallti ylli nga Egjipti barazoi francezin e famshëm, Tieri Henri, me 175 gola në Premier Ligë.

Përpara Faraonit mbeten Frenk Lampard, Kun Aguero, Endi Koul, Uejn Runi dhe në krye I vetëm Alan Shirer.

Sidoqoftë, mes “djajve të kuq” sot është një “djall I veçantë”, që e ka mbiemrin pikërisht Diallo.

Njëzetedyvjeçari barazoi 10 minuta para fundit, dhe Junajtid shmangu humbjen e katërt radhazi në kampionat, që kishte ndodhur për herë të fundit në 1979.

Diallo ishte heroi I fitores në fund në fushën e Mançester Sitit.

Edhe pse Liverpuli bëri më shumë, këtë herë të besuarit e trajnerit Amorim u matën sy më sy me të.

Mbajtën topin 47 për qind, patën 4 gjuajtje në kuadrat ndaj 6, 380 pasime ndaj 420, edhe pse gjuajtjet në total ishin 19-13 për të zotët e shtëpisë.

Barazimi nuk lejoi që ekipi I trajnerit Slot të merrte arratinë, dhe tani ka 46 pikë, 6 më shumë se Arsenali, ndonëse ka luajtur një ndeshje më pak.

Mançester Junajtidi shpreson që ky barazim t’i japë moral, sepse mbetet në vendin e 13-të, me vetëm gjysmën e pikëve të rivalit të madh.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!