Liverpuli vendos një rekord të ri anglez me kontratën e sponsorizmit të fanellës. Kampionët e Europës do të fitojnë mbi 90 milionë euro në sezon, por rekordin botëror e mban Barcelona.
Kur fiton në fushë, suksesi vjen edhe jashtë saj. Liverpool nënshkroi një kontratë të re sponsorizimi për fanellën, me vlerë rekord në futbollin anglez. Klubi njoftoi zyrtarisht marrëveshjen me kompaninë amerikane Nike, më e madhja në botë për veshjet sportive, një akord që arrin në 80 milionë sterlina, apo 94 milionë euro në sezon.
Liverpuli nuk sqaron kohëzgjatjen e kontratës, por mediat britanike njoftojnë se shifra e re kalon rekordin e mëparshëm anglez të mbajtur nga Manchester United, me vlerë 83.5 milionë euro në sezon me kompaninë gjermane, Adidas.
Kontrata e mëparshme e sponsorizimit të fanellës ishte me kompaninë New Balance, që prej vitit 2015, me vlerë shumë më të vogël sesa kjo me Nike.
Rekordi i të ardhurave i përgjigjet sukseseve të skuadrës së trajnerit Jurgen Klopp, që u shpall kampione e Europës majin e kaluar, duke mundur Tottenham në finalen e Champions League, fitoi Kupën e Botës për klube ndaj Flamengos, ndërkohw qw edhe ndodhet në krye të Premier Ligës angleze, me diferencë të madhe me rivalët.
Liverpool ka mundur radhazi Manchester City, Leicester dhe Chelsea, si dhe duket se do ta fitojë më në fund titullin kampion në Angli pas 30 vjetësh. Pavarësisht se të kuqtë dolën në vend të parë në Angli, rekordin botëror vazhdon ta ketë Barcelona, me kontratë mbi 100 milionë euro në sezon, po me Nike. /abcnews.al