Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, deklaroi se fitorja e ekipit të tij ndaj Paris Saint Germain, pati një kuptim të madh. Anglezët duken edhe më shumë pretendentë në Champions sesa sezonin e kaluar, kur arritën deri në finale.
Kush fiton ka të drejtë, kush humbet harrohet.
A mund të thuhet kështu për sfidën mes Liverpool-it dhe Paris SG, me nënkampionët e Europës që e nisën me sukses sezonin e ri?
Jo edhe aq kur shifrat janë 3-2, veçse ata që ndoqën ndeshjen padyshim që e pohojnë këtë përfundim.
Anglezët merituan gjithçka në “Anfield” për paraqitjen e madhe gjatë 90 minutave, ndaj një rivali që ka ndoshta cilësinë më të madhe nga çdo ekip tjetër në botë.
Francezët ishin me fat që nuk pësuan më shumë, ndërsa shfrytëzuan mirë ato pak raste që krijuan për të shënuar dy gola.
Tifozët e të kuqve, që presin prej kohësh kthimin në epokën e dikurshme të lavdishme, më në fund besojnë tek skuadra.
Klopp thotë se e rëndësishme është që vetë ekipi beson në vetvete.
“Nuk pati asnjë shans ditën e djeshme, as të dielën. Por, ai erdhi mëngjesin e ndeshjes dhe më tha se ishte gati dhe se mund ta hapte syrin. Gjëja më e rëndësishme për ne është se Liverpuli sot ka besim se mund t’ia dalë ndaj kujtdo. Ndoshta, tre vjet më parë, nëse do të kishim përballë Paris Saint Germain, ne do të thoshim se nuk do të mund të fitonim, se do të kishte qenë shumë e vështirë për ne. Sot është ndryshe”, deklaroi ai.
Disfata nuk mund të quhet shumë e hidhur për PSG-në.
Ishte vetëm ndeshja e parë e sezonit, ndër 6 që do të luhen gjithsej në grup, dhe në fushën e kundërshtarit më të fortë.
Sidoqoftë, ishte humbje me një rival direkt për fitoren përfundimtare, dhe u duk se ishte më shumë disfatë psikologjike.
Pas dështimeve të sezoneve të kaluara, kur do të mundet Parisi të jetë gati?
“Ishte e vështirë të luaje përballë Liverpool-it dhe trajnerit të tij. Duket qartë se ai ka 4 vjet që punon këtu dhe e ka ndërtuar skuadrën. Ekipet e Klopp-it luajnë me intensitet tepër të lartë. Nuk është e lehtë të luash këtu. Patëm besim dhe guxim sidomos në pjesën e parë. Treguam karakter të madh që reaguam dhe barazuam shifrat në 2-2, madje mund të kishim shënuar edhe golin e tretë. Gjithsesi, duhet të pranojmë me sportivitet humbjen”, deklaroi trajneri i PSG-së, Thuchel.
I vetmi moment që krijoi polemika në rrjetet sociale në fitoren e Liverpool-it ishte reagimi i Mohamed Salahut pas golit të shënuar nga Firminio.
Sulmuesi egjiptian, i zëvendësuar disa minuta më parë, u duk sikur nuk u gëzua, duke përplasur përtokë një shishe plastike.
Gjithsesi, ky mbetet vetëm supozim, ndërsa nuk ka asnjë shenjë për përçarje në skuadrën angleze./abcnews.al