Liverpool-Manchester City përfundoi 1-4 për ekipin e Pep Guardiolës. Fitore e madhe e “Cityzens” në mitikun “Anfield” dhe diferenca me kampionët në fuqi ka shkuar 10 pikë (City ka luajtur edhe një ndeshje më pak).
Humbja e tretë radhazi në shtëpi për “The Reds”, të cilët po hasin vështirësi të mëdha në Premier League, ndryshe nga sezoni i kaluar kur dominuan çdo kundërshtar dhe rikthyen titullin kampion në qytet pas plot 30 vitesh.
Kritikat janë shtuar, teksa nuk mungojnë edhe thumbimet. Roy Keane, ish-kapiteni i famshëm i Manchester United, flet rreth moment të vështirë të ekipit të Jurgen Klopp.
“Liverpool është një kampion në fuqi shumë i keq. Ky sezon është ndryshe, pandemia ka ndikimin e vet, por prapë kjo nuk ka rëndësi. Nëse vijojnë të luajnë në këtë mënyrë, duhet të presin edhe 30 vite të tjera për t’u shpallur kampionë.
Vjet fituan titullin, por nuk kam dëgjuar asnjë futbollist të shprehet se objektivi është të fitojnë sërish titullin. Duket sikur kanë humbur në parajsën e dy viteve të fundit“, deklaron ish-mesfushori irlandez i “armiqve” të United. /abcnews.al