Liverpool do të ketë mundësi t’i luajë në stadiumin e tij “Anfield” ndeshjet e mbetura shtëpiake të këtij sezoni të Premier League, pas një vendimi tepër të rëndësishëm të Këshillit Bashkiak të qytetit. Këshilli vendosi, pas konsultimit me specialistët e sigurisë, se të kuqtë mund të luajnë në “Anfield”, pavarësisht se më herët u mendua që sfidat të zhvilloheshin në fusha asnjanëse.
Lehtësimi i situatës së koronavirusit, padyshim që ndikoi në vendimin e pushtetit vendor. Në një nga këto ndeshje, pritet që skuadra e trajnerit Jurgen Klopp të fitojë zyrtarisht titullin kampion. Do të ishte një emocion i madh, pasi Liverpool e ka fituar titullin për herë të fundit në 1990, pra 30 vjet më parë, kur ende ishte në fushë brezi i lavdishëm i dikurshëm.
The Merseyside derby will be allowed to take place at Goodison Park opposed to a neutral venue.
Liverpool have also been cleared to play their remaining games at Anfield. pic.twitter.com/KtInWBUwPZ
— B/R Football (@brfootball) June 10, 2020
Ekipi i sotëm kryeson bindshëm renditjen e kampionatit me 82 pikë në 29 ndeshje, ndërsa Manchester City është 25 pikë prapa, me 57, ndonëse ka luajtur një përballje më pak. Këshilli i qytetit mori edhe një tjetër vendim të rëndësishëm. Ndeshja e parë e Liverpulit që prej rikthimit të Premier Ligës, do të jetë ndaj Everton, në fushë kundërshtare.
U vendos që derbi i qytetit të luhet në stadiumin e bluve, “Goodison Park”, ndërsa më parë po mendohej që ai të zhvendosej në qytetin e Sauthempton, për shkak të rreziqeve të mëdha lidhur me sigurinë. Kjo sfidë, e para për kryesuesit në startin e dytë të sezonit, do të jetë në 21 qershor. /abcnews.al

