PS e PL regjistrohen në zgjedhje/ KQZ nis shqyrtimin për PD: Tagër i Bashës apo i Berishës?

schedule10:44 - 9 Mars, 2023

schedule 10:44 - 9 Mars, 2023

TIRANË- PS dhe PL janë regjistruar sot në mbledhjen e KQZ për zgjedhjet e 14 majit. Në mbledhje ka nisur sakaq shqyrtimi për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Celibashi njoftoi dy kërkesat e dorëzuara pranë KQZ, një nga Sali Berisha dhe një nga Lulzim Basha, përmes përfaqësuesit ligjor, Indrit Sefa.

“Që të mos kemi asnjë lloj keqkuptimit, ne jemi para shqyrtimit të kërkesës për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor. Përpara KQZ ka dy kërkesa një nga z.Sali Berisha, që thotë kryetar i PD, dhe kërkon regjistrimin e  PD si subjekt zgjedhor, kemi edhe një kërkesë tjetër nga z.Lulzim Basha, përmes përfaqësuesit të tij. Ku kërkohet regjistrimi i PD, pra jemi në procesin e shqyrtimit të kërkesës për të regjistruar PD si subjekt zgjedhor.

Në këtë shqyrtim do të vlerësojmë se kush e ka edhe tagrin për ta paraqitur këtë kërkesë. Është tagër i Berishës, apo i Bashës, si kryetar i PD nëse është kështu. Në vlerësim të kësaj dëgjese do vlerësojmë kush e ka tagrin. Nuk e ndajmë dot këtë gjë në mënyrë paraprake, nuk ka asnjë agjendë tjetër veç besueshmërisë në ligj” u shpreh Celibashi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërkohë ka nisur dëgjimin e kërkesave të grupimeve në Partinë Demokratike për t’u regjistruar për zgjedhjet vendore të 14 majit. Përfaqësuesi ligjor I grupimit të Alibeajt, Indrit Sefa tha se dokumentacioni që ka dorëzuar ai pranë KQZ-së është i rregullt dhe se përfaqësuesi zyrtar i PD-së është ai.

“Dokumentacioni është i rregullt i qartë dhe unë jam si përfaqësues i PD.”, tha ai.

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, tha se në tavolinën tij janë dy kërkesa, ndërsa shtoi se vendimi se kush ka të drejtë regjistrimi nuk mund të merret pa dëgjuar pretendimet e grupimeve të Partisë Demokratike.

“Kemi dy kërkesa, do të vendosim se kush do të regjistrohet. Nuk e ndajmë në mënyrë paraprake dhe kjo s’ka të bëj me gjë tjetër, përveç besueshmërisë në ligj”, tha Celibashi.

Përfaqësuesi ligjor i Sali Berishës në KQZ, Ledio Nuraj, tha se kanë dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara dhe në përputhje me ligjin për t’u regjistruar. Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Apelit më 3 mars është vendim i ndërmjetëm dhe nuk ka formë të prerë.

“Ne kemi depozituar kërkesë për regjistrimin e PD për zgjedhjet e 14 majit 2023. Kemi dorëzuar dokumentacionin sipas ligjit. Kuvendi i PD i 11 dhjetor si dhe statusi i PD, janë ende në fuqi dhe duhen të merren parasysh nga KQZ. Ai vendim do të rekursohet brenda afatit. Ne mund të flasim se kemi një vendim të ndërmjetëm të Apelit dhe jo vendim të formës së prerë. Të mos rrezikojmë proceduralisht, që për herë të parë që nga 1990, të mos ngelet pa u regjistruar në zgjedhje partia politike opozitare më e madhe”, tha ai.

Për Indrit Sefën, përfaqësues i kryetarit të autorizuar të PD, Enkelejde Alibeaj, situata është më e qartë, për sa kohë ka një vendim gjykate.

“Unë nuk dua t’i hy më tej këtij debati, nuk është momenti për të bërë debat politik mes demokratëve. Gjykatat janë shprehur.” -u shpreh Sefa.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!