Lituania thirrje vendeve të BE-së që të ndalojnë pritjen e ambasadorëve rusë

schedule10:28 - 1 Shkurt, 2023

schedule 10:28 - 1 Shkurt, 2023

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së të martën që të ndalojnë pritjen e ambasadorëve rusë pasi tensionet diplomatike midis shteteve baltike dhe Moskës kanë vazhduar të përshkallëzohen që kur ushtria ruse pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022.

“Nuk është e dobishme të kemi një ambasador rus në një kryeqytet evropian ”, tha Gabrielius Landsbergis gjatë një konference për shtyp në Riga. “Në shumicën e rasteve, ai nuk është një institucion diplomatik, është një institucion propagande, që mbulon krimet e luftës dhe promovon një axhendë gjenocidale,” insistoi ai.

Lituania uli marrëdhëniet diplomatike me Moskën, duke dëbuar ambasadorin rus në prill të vitit 2022, pas akuzave për një masakër të civilëve në qytetin ukrainas Butsa. Javën e kaluar, Estonia njoftoi se po dëbonte ambasadorin e Rusisë në shenjë hakmarrjeje pasi Kremlini e shpalli ambasadorin e Estonisë persona non grata.

“Ne respektojmë parimin e proporcionalitetit në marrëdhëniet me Rusinë” , komentoi Ministria e Punëve të Jashtme të Estonisë duke sqaruar se ambasadori rus do të largohet në të njëjtën kohë me homologun e tij estonez, të cilit Moska i kërkoi të largohej nga territori rus më parë.

Letonia, shteti i tretë baltik, njoftoi gjithashtu se do të dëbonte ambasadorin e Rusisë në solidaritet me Estoninë, duke shtuar se po tërhiqte ambasadorin e saj nga Moska. /abcnews.al