Ministria e Energjisë e Lituanisë njoftoi sot se vendi ka operuar pa importe të gazit rus që nga fillimi i muajit me synimin për të arritur “pavarësinë e plotë energjetike” nga Rusia. Lëvizja vjen si një përgjigje ndaj “shantazhit energjetik rus dhe pushtimit të Ukrainës.”
Lajmi u konfirmua nga të dhënat e operatorit të sistemit të transmetimit të gazit lituanez Amber Grid, të cilat tregojnë se më 2 prill, importi i gazit rus për nevojat e Lituanisë nëpërmjet interkonjeksionit Lituani-Bjellorusi ishte zero megavat.
“Ne jemi vendi i parë i BE-së që u bë i pavarur nga furnizimet me gaz rus dhe ky është rezultat i një procesi koherent të disa viteve të politikave energjetike dhe vendimeve në kohë të infrastrukturës,” tha ministri lituanez i energjisë Dainius Kreivys.
Ministri beson se ky moment historik ishte “një pikë kthese” në historinë e pavarësisë energjetike të Lituanisë.
Në mars , parlamenti lituanez i bëri thirrje qeverisë që të ndalojë importin dhe konsumimin e energjisë ruse, pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe kërcënimeve të vazhdueshme energjetike të Kremlinit. /abcnews.al/