LISTA/ Takimi në Shkup, firmosen 21 marrëveshjet e arritura mes qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

schedule12:35 - 14 Nëntor, 2022

schedule 12:35 - 14 Nëntor, 2022

Janë duke u firmosur në Shkup 21 marrëveshjet e arritura mes qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshjet që po firmosen sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, janë zbardhur nga ABC.

Janë 21 marrëveshje dhe memorandume që prekin çështjen e integrimit të BE, krijimin e task-forcave të përbashkëta të sigurisë, implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë.

Gjithashtu janë përfshirë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, energjisë, arsimit dhe dixhitalizimit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “është koha për të projektuar të ardhmen përtej luftës duke kërkuar së bashku nga BE që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e organizuar për t’i rezistuar goditjes së madhe të rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe inflacionit të luftës”.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Shqipëri- Maqedoni e Veriut që po mbahet në Shkup, Rama theksoi se duhet të ndërtohet një plan i përbashkët që të krijojë mundësinë të shohim përtej kësaj faze të vështirë e të zymtë, por jo të pambarimtë.

“Nuk kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar të ardhmen përtej saj”, tha Rama.

Sipas tij, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë një farë përgatitje duke u përpjekur të projektohen në të ardhmen jo thjesht në mënyrë individuale si shtete më vete, por edhe në mënyrë kolektive si vende të të njëjtës zonë gjeografike dhe gjeopolitike, si në aspektin e Ballkanit Perëndimor si rajoni ynë dhe të BE-së, si destinacioni ynë.

“‘Ballkani i hapur’ na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe për të projektuar një të ardhme që të rrisë në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë në një hapësirë më të madhe se hapësira jonë e përveçme gjeografike. Kemi parë rezultatet e marrëveshjeve në kuadër të ‘Ballkanit të hapur’. Vazhdojmë të jemi mbështetës të palëkundur edhe të procesit të Berlinit duke pasur aftësi t’i shohim bashkë këto nisma si pjesë të njëra-tjetrës dhe jo përjashtuese të njëra-tjetrës”, tha Rama.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski deklaroi sot se “marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë më të mira se sot. Jemi shembull si dy fqinjë mund të bashkëpunojnë dhe të tejkalojnë në mënyrë të suksesshme krizat aktuale të situatës globale”.

Në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët në Shkup mes qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski theksoi se “më 19 korrik të dy në emër të qytetarëve të vendit tonë kishim nderin të nisim negociatat për integrimin në Bashkimin Evropian. Ju kolegë të respektuar nga Shqipëria treguat miqësi të vërtetë, përkrahje të padyshimtë në rrugën tonë evropiane dhe gjatë anëtarësimit në NATO”.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shembulli i vërtetë për mënyrën si ndërtohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Kemi vendosur shtylla të fuqishme edhe për autostrada që lidhin fizikisht vendet dhe popujt tona. Dy qeveritë jemi në rrugën e fuqizimit dhe besimin e plotë në vlerat evropiane. Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bashkërisht në rrugën evropiane. Republika e Maqedonisë së Veriut u vendos në mënyrë të qartë në linjën e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në raport me luftën në Ukrainë këtë e bëri edhe Shqipëria Ne qëndrojmë bashkë në anën e paqes në botë dhe ruajtjen e stabilitetit të rajonit me interes të përbashkët që të pengojmë përpjekjet e palëve të treta për qëllimet e tyre qe të fusin Ballkanin në skenarë që rrezikojnë përfitimet demokratike për të cilat punuam”, nënvizoi Kovaçevski.

Sipas tij, integrimi euroatlantik është i rëndësisë së veçantë për ekonominë dhe standardin jetësor.

“BE më në fund e kuptoi se edhe interesi i saj strategjik është që Ballkani të jetë pjesë e Evropës”, tha Kovaçeksi.

Kryeministri Kovaçekvski u shpreh se “me anëtarësimin në BE do sigurojmë jetë cilësore. Sot Republika e Maqedonisë së Veriut dallohet si model i suksesshëm për të ndërtuar ura me fqinjët, Evropën dhe botën. Si i filluam bashkërisht negociatat kemi mundësi të shkojmë deri në fund bashkë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Me anëtarësimin në BE do sigurojmë jetë cilësore”.
“Njohja nga Evropa ishte shumë e rëndësishme, negociatat ishin të mundimshme dhe të vështira, por arritëm t’i ruajmë pozitat tona dhe të arrijmë atë për të cilën luftuam. Duhet ta ruajmë gjuhën maqedonase dhe ta ngremë në të njëjtin nivel me gjuhët e tjera të BE-së”, tha ai.

LISTA:

1. Memorandum e Bashkëpunimi midis Ministrisë së Ekonomisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë

Objektivat kryesore synojnë avancimin e konkurrueshmërisë kombëtare dhe rajonale përmes rritjes dhe afirmimit të sipërmarrjes dhe përmirësimit të konkurrueshmërisë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), si edhe zhvillimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e Strategjive të të dyja palëve. Për më tepër, synohet sigurimi i mbështetjes dhe bashkëpunimit për të mundësuar qasje në asistencën financiare ndërkombëtare në mbështetje të StartUp-eve, zhvillimit të aftësive sipërmarrëse, investimeve, digjitalizimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Disa pika të përbashkëta bashkëpunimi përfshinë organizimin e aktiviteteve si konferenca, forume, samite me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe punonjesëve nga të dyja palët si edhe hartimin e projekteve, ndarjen e provojës dhe njohurive mbi zhvillimin e akteve strategjike dhe shkembimet e eksperjencave të fituara nga trajnimet dhe ndërveprimet e përbashkëta.

2. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut për rikthimin e ikonave të trafikuara ne vendin e tyre të origjinës.

Projektakti i propozuar parashikon miratimin në parim të “Projektmarrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për rikthimin e Ikonave të trafikuara në vendin e tyre të Origjinës”, me objekt rikthimin e 20 (njëzet) ikonave, ne vendin e tyre të origjinës të cilat gjenden të sekuestruara në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të detyrimeve të përcaktuara të Konventës së UNESCO-s 1970.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Republika e Shqipërisë nëpërmjet Ministrisë së Kulturës do të ndjekë të gjitha procedurat e rikthimit dhe transferimit të objekteve në vendin e origjinës nëpërmjet Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, në zbatim të konventës UNESCOs të 14 Nëntorit 1970.

3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për krijimin e task forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë

Kjo Marrëveshje është propozuar nga pala Maqedonase dhe synon të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet palëve në fushën e sigurisë. Objektiv i kësaj Marrëveshjeje do të jetë krijimi i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve kompetente të Palëve dhe Task Forcave të tyre, për të shqyrtuar taktikat, përgatitjet dhe kohën për zgjidhjen e çështjeve që dalin gjatë bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe për të vendosur kur dhe si të ndërmerren veprime në territoret e shteteve Palë, veçanërisht duke shkëmbyer informacione për raste të veçanta bashkëpunimi.
Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kompetente të Palëve do të kryhet përmes kërkesës për
ndihmë, për eliminimin e rreziqeve për rendin dhe sigurinë publike, me qëllim parandalimin dhe
zgjidhjen e krimeve, nëse kërkesa ose veprimi është në përputhje me ligjin kombëtar të shteteve
Palë dhe nuk është në juridiksionin e autoriteteve gjyqësore.

Autoritetet kompetente, në përputhje me legjislacionin përkatës kombëtar, do të bashkëpunojnë
në bazë të kësaj Marrëveshje, duke shkëmbyer gjithashtu informacione, veçanërisht për veprat
penale për të cilat rrethanat kërkojnë veprime të koordinuara, të sinkronizuara dhe në veçanti: mbi të dyshuarit ose autorët, mënyrën e kryerjes së krimeve, kohën, vendin dhe masat e ndërmarra për parandalimin e veprave penale, autorët dhe bashkëpunëtorët e tyre; mbi përvojat që i referohen shfaqjes së llojeve të reja të krimit; mbi operacionet ose aktet e ardhshme dhe rreziqet e mundshme të sigurisë;

4. Protokoll ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – Administratës Doganore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomik të autorizuar – autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut
Objektivi i përgjithshëm i projekt-protokollit është përcaktimi i metodës së kryerjes së procesit të vleftësimit të njohjes së ndërsjellë mbi autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS) ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. Si edhe të rregullojë mënyrën e shkëmbimit të informacionit ndërmjet palëve, mënyrën se si do të kryhen proceset e vlerësimit, platformën që do të përdoret si dhe aspekte të tjera teknike.

Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të procesit të harmonizimit me BE-në për nxitjen e njohjes së ndërsjellë të Programeve të OEAS, kontributit të lehtësimit të tregtisë në zhvillimin ekonomik, forcimit të marrëdhënieve tregtare-ekonomike ndërmjet vendeve, zbatimit të kërkesave të sigurisë në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht të sigurisë dhe pajtueshmërisë sipas “Kuadrit SAFE të Standardeve për Sigurimin dhe Lehtësimin e Tregtisë Globale”.

5. Memorandum Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e Financave Publike dhe Procesit të Aderimit në Bashkimin Evropian ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë

Nisur nga miratimi i Kuadrit Negociues për Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nga ana e Këshillit më datë 18 korrik 2022, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit dhe duke riafirmuar dhe forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe duke nxitur bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në fushën e financave publike dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Palët bashkëpunojnë në kryerjen e veprimtarive duke krijuar edhe grupe pune nëse konsiderohet e nevojshme të përbera sipas fushave të bashkëpunimit dhe në fushën e financave publike dhe procesin e anëtarësimit në BE.

Secila palë krijon një kuadër ligjor për zhvillimin, inkurajimin dhe nxitjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushat si, harmonizimi i legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së në fushën e financave publike; menaxhimi i investimeve publike; përmirësimi i procesit të planifikimit të buxhetit (vjetor dhe afatmesëm) dhe shmangien e detyrimeve të prapambetura; politikat tatimore, lufta kundër ekonomisë informale në tregun e punës dhe evazioni fiskal; auditimi i brendshëm, si dhe forcimi i sistemit të kontrollit të brendshëm në sektorin publik; reformat e menaxhimit të financave publike; mbrojtja e interesave financiare të BE-së ndërmjet institucioneve kombëtare që janë pika kontakti me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF); funksionimi i inspektimit financiar në të dyja vendet; vlerësimi dhe monitorimi i aspekteve fiskale të Projekteve të Partneritetit Publik Privat; qeverisja ekonomike, përgatitja e Programit të Reformës Ekonomike dhe mbajtja e dialogut ekonomik dhe financiar me BE-në; bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët dypalësh; zbatimi i Sistemit Informativ të Menaxhimit të Integruar Financiar (IFMIS); përgatitja e një kuadri legjislativ për shkëmbimin automatik të informacionit, si dhe zbatimin e tij.

6. Programi për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e arsimit dhe shkencës për periudhën 2022-2025.
Program synon të zhvillojë dhe thellojë bashkëpunimin ekzistues në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor ndërmjet institucioneve të të dy vendeve.
Në bazë të reciprocitetit dhe në përputhje me fondet në dispozicion, Palët janë të gatshme të krijojnë forma të reja dhe të thellojnë bashkëpunimin ekzistues midis institucioneve të kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë të të dy vendeve, nëpërmjet bashkëfinancimit të projekteve të përbashkëta kërkimore.
Ministritë e dy vende bashkëpunojnë drejtëpërdrejtë apo përmes institucioneve parauniversitare dhe sportive; mes Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) të të dy vendeve në përputhje me nevojat dhe mundësitë e tyre financiare, si dhe do të krijojnë kushtet për vendosjen e bashkëpunimit mes Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe kërkimit shkencor, përmes shkëmbit të ekspertëve dhe ofrimit të bursave universitare dhe pasuniversitare.
Programi përbëhet nga 13 (trembëdhjetë) nene dhe 2 (dy) shtojca, parashikohet të hyjë në fuqi ditën e nënshkrimit dhe të jetë i vlefshëm deri më 31 dhjetor 2026.

7. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut mbi përdorimin gjuhës Shqipe standarte në RSH dhe RMV.

Nëpërmjet këtij Memorandumi synohet ruajtja, kujdesi dhe zhvillimi i gjuhës shqipe, kulturës dhe vlerave të përbashkëta, duke u nisur nga interesi dhe qëllimi i përbashkët për ruajtjen, kujdesin dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqipe, për bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

– bashkëpunojnë duke organizuar veprimtari të përbashkëta lidhur me lekturën/redaktimin e gjuhës shqipe në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut duke pasur në fokus përdorimin e gjuhës shqipe standarde në fushën e arsimit, shëndetësisë, sistemit gjyqësor, medias, administratës publike dhe fusha të tjera me interes.

8. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut për zbatimin e gjuhës së shenjave Shqipe në RSH dhe RMV

Nëpërmjet këtij Memorandumi synohet ruajtja, kujdesi dhe zhvillimi i gjuhës shqipe, kulturës dhe vlerave të përbashkëta, duke u nisur nga interesi dhe qëllimi i përbashkët për ruajtjen, kujdesin dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqipe, për bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

– bashkëpunojnë për zbatimin e gjuhës së shenjave shqipe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut në fushën e arsimit, shëndetësisë, sistemit gjyqësor, medias, administratës publike dhe fusha të tjera me interes.

9. Memorandum bashkëpunimi për çështjen e integrimit në BE ndërmjet Zëvndëskryeministrit për Çështje Evropiane të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator i Republikës së Shqipërisë

Akti është përputhje me angazhimin e përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm të fqinjësisë së mirë, miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve dhe në vijim të vendimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe duke marrë në konsideratë konkluzionet e Këshillit për procesin e zgjerimit dhe stabilizimit asociimit, (mars 2020) dhe Komunikata e Komisionit të miratuar nga Këshilli.
Në Memorandum palët angazhohen për të nxitur bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e integrimit evropian me qëllim përgatitjen e suksesshme për të dyja vendet për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian si anëtarë të plotë si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për vlerat evropiane dhe euroatlantike si një interes i përbashkët në marrëdhëniet dypalëshe.
Memorandumi lind si nevojë forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencës midis dy vendeve me qëllim angazhimin e përbashkët për të nxitur bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e integrimit evropian me qëllim përgatitjen e suksesshme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian si bashkëpunimin për të rritur e ndërgjegjësimin e publikut për vlerat evropiane dhe euroatlantike si interes i përbashkët në marrëdhëniet e tyre dypalëshe

10. Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut mbi bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Përparësitë të cilat priten që ky Memorandum të japë për secilës palë, është mbështetja me bazë ligjore e bashkëpunimit të dy institucioneve. Kjo rrjedhimisht do të sjellë një bashkëpunimi i cili do të mbështetet në qëllimin e mirë të dy Ministrive të Mbrojtjes në secilën prej fushave të evidentuara për ndërveprim.

Nënshkrimi i këtij memorandumi mirëkuptimi është në përputhje me politikat e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të anëtarësimit në NATO, si dhe në përputhje me programin për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare të qeverisë shqiptare.

Bashkëpunimi ndërmjet Palëve do të kryhet në fushat e mëposhtme ushtarake ose të mbrojtjes si:

– Politikat e mbrojtjes dhe e sigurisë;
– Mbrojtjes dhe ndërtimit të kuadrit ligjor; Arsimit Ushtarak;
– Trajnimit të personelit ushtarak dhe civil;
– Stërvitjet ushtarake, Inteligjencës / Zbulimit, Mbrojtjes kibernetike; Menaxhimit të krizave;
– Mbështetjes ndërkombëtare të paqes dhe operacionet humanitare;
– Emergjencat Civile; Logjistikës; Industrisë së Mbrojtjes;
– Menaxhimit dhe modernizimit të armatimit dhe infrastrukturës ushtarake; Zhvillimit të sistemeve të komunikimit dhe informacionit;
– Shkencës dhe kërkimet në fushën e mbrojtjes;
– Bashkëpunimit teknik ushtarak;
– Mjekësia ushtarake; Marrëdhëniet me publikun;
– Çështjet juridike në fushën e mbrojtjes dhe Fusha të tjera me interes të ndërsjellë të dakordësuara paraprakisht ndërmjet Palëve.

11. Memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e digjitalizimit të shërbimeve konsullore.

Memorandumi synon të nxisë bashkëpunim ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve në fushën e digjitalizimit të shërbimeve konsullore në përputhje e zbatim të legjislacionit të brendshëm të secilës palë e po ashtu edhe atij ndërkombëtar.

Ministritë e Punëve të Jashtme të të dy vendeve, angazhohen të shkëmbejnë praktikat, eksperiencat dhe modelet më të mira në këtë fushë, me organizimin e aktiviteteve në nivel ekspertësh dhe zyrtarësh, fizikisht ose online, me fokus arritjen e standardizimit të shërbimeve konsullore digjitale të dy vendeve.

Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, si dhe inicimit të një seri aktivitetesh të përbashkëta në fushën në fjalë, pritet që palët të shkëmbejnë e përfitojnë nga përvoja e tyre, të përforcojnë bashkëpunimin dypalësh e rrjedhimisht shtetasit e të dy vendeve që jetojnë jashtë, do të mund të përfitojnë lehtësira në marrjen e shërbimeve konsullore.

12. Memorandum të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e trajnimeve diplomatike.

Memorandumi synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të të dy vendeve në fushën e trajnimeve diplomatike, me impakt të drejtpërdejt në ofrimin e qasjeve diplomatike në interes të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, ato në rrafsh rajonal si dhe në kuadër të integrimeve euro-atlantike,

Ministritë e Punëve të Jashtme të të dy vendeve, nëpërmjet Akademive Diplomatike respektive angazhohen në ndërtimin e një kuadri ligjor/rregullator dhe programe pune ne funksion të aktiviteteve të ndryshme në fushën e trajnimeve, për të cilat palët do të dakortësohen gjatë rrugës së zbatimit të këtij Memorandumi.

Me nënshkrimin e këtij Memorandumi të ndërtimit të kuadrit përkatës rregullator, si dhe inicimit të një seri aktivitetesh të përbashkëta në fushën në fjalë, pritet që palët të shkëmbejnë dhe përfitojnë nga përvoja e tyre, të njohin dhe respektojnë më mirë njëra-tjetrën nën një frymë të re dhe më miqësore të bashkëpunimit dypalësh.

13. Memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e politikave sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Memorandumi synon shkëmbimin e eksperiencave e dokumente legjislative dhe profesionale, që mund të vihen në dispozicion të publikut në fushën e politikës sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve; përpunimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e politikave sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve, si edhe pjesëmarrje në partneritetin ndërkufitar për projektet BE-IPA.

Memorandumi i bashkëpunimit ka si qëllim:
– Bashkëpunimin ndërmjet palëve lidhur me kuadrin ligjor dhe strategjik në fushën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve;
– Politika për mbrojtjen sociale që adreson cenueshmërinë në ciklin e jetës, vlerësimin e aftësisë së kufizuar dhe shërbimet për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara; kujdesi për të moshuarit, mbrojtja institucionale dhe joinstitucionale;
– Politika sociale dhe e mbrojtjes së fëmijëve;
– Parandalimi dhe luftimi i dhunës ndaj grave dhe fëmijëve;
– Sistemi i programeve të ndihmës sociale dhe programeve të ndihmës ekonomike;
– Sistemi i mekanizmave funksionalë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve;
– Zhvillime të reja në politikën sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve.

14. Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Marrëveshja e bashkëpunimit ka si qëllim vlerësimin e prioriteteve, në kuadër të bashkëpunimit, përgatitjen e planveprimeve në fushën e shëndetësisë dhe informimin periodik të dy ministrive mbi zhvillimet e këtij bashkëpunimi.
Pritet që mes dy palëve të shkëmbehet informacionit për shëndetin në fushat me interes të përbashkët, shkëmbimit të informacionit për pajisjet mjekësore, në zhvillimet farmaceutike dhe teknologjike në fushën e shëndetësisë, shkëmbimit të delegacioneve dhe personelit shëndetësor, pjesëmarrjes në kongrese dhe simpoziume të karakterit ndërkombëtar, pjesëmarrjes së specialistëve në konferenca dhe takime shkencore të organizuara nga secila palë, kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve të kujdesit shëndetësor në të dy vendet, bashkëpunimit për përgatitjen dhe prezantimin e projekteve të përbashkëta zhvillimore kërkimore, asistencë teknike dhe trajnime, si edhe trajnimit afatshkurtër i specialistëve në institucionet shëndetësore të të dy vendeve.
Palët angazhohen të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues dhe Koordinues, me qëllim vlerësimin e prioriteteve në kuadër të kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, përgatitjen e planeve të veprimit në fushën e shëndetësisë dhe informimin periodik të dy ministrive për zhvillimet e këtij bashkëpunimi.

15. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut për sektorin e energjisë

Qëllimi i Memorandumi është krijimi i një kuadri bashkëpunimi midis dy palëve për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta energjetike, kryesisht përsa i përkët në infrastrukturës së gazit natyror dhe te terminalit LNG te Vlores, si dhe energjive të rinovueshme. Gjithashtu nëpërmjet tij do të riafirmohet vullneti dhe gatishmëria e palëve për planifikimin afatgjatë të infrastrukturës dhe zhvillimin e koordinuar të lidhjes Shqipëri – Maqedoni e Veriut, me fokus përmirësimin e sigurisë energjetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe furnizim e besueshëm me energji.

16. Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e transformimit digjital

Memorandimi i Mirëkuptimit, mban parasysh rëndësinë e procesit të digjitalizimit në zhvillimin në tërësi dhe rritjen ekonomike të vendeve përmes digjitalizimit të shërbimeve elektronike dhe zhvillimit të infrastrukturave mbështetëse të tyre, si dhe nevojën e krijimit të një mjedisi që mundëson bashkëpunimin ndërkufitar në ofrimin e shërbimeve inovatore duke harmonizuar dhe standartizuar praktikat.
Qëllimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ka të bëjë me negociatat për shkëmbimin e përvojave në lidhje me transformimin digjital dhe lidhjen me shërbimet elektronike, shkëmbimin e përvojave në fushën e sektorit të TIK-së, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit, si dhe përmirësimin e integrimit të ekonomive digjitale të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.
Në fushat e bashkëpunimit dypalësh përfshihen gjithashtu dhe risitë teknologjike në fushën e zhvillimeve digjitale në sektorin TIK apo rrjetet 5G, duke e lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit dhe në çështje të tjera në këtë drejtim e që mund të vendosen reciprokisht nga vendet.

17. Memorandum mirëkuptimi ndërmjet RSH dhe RMV për bashkëpunim për zhvillimin e lidhjes rrugore midis dy vendeve

Memorandumi synon të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet palëve në fushën e infrastrukturës së transportit rrugor si edhe zhvillimin e lidhjes rrugore ndërmjet dy vendeve, konsideruar zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, me synimin që Korridori Rrugor VIII të forcojë më tej marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare.

Objektivi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi është ngritja e një Grupi të Përbashkët Pune (GPP) të ekspertëve për përgatitjen dhe zbatimin e një plani pune/veprimi për zhvillimin e Projektin për lidhjen rrugore të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Republikën e Shqipërisë, me qëllim përshpejtimin e procesit të aktiviteteve përgatitore dhe zbatuese për ofrimin e një infrastrukture transporti rajonale më efikase dhe moderne që është në interesin e përbashkët për qytetarët dhe ekonomitë e të dy vendeve.

Zbatimi i këtij Memorandumi dhe ngritja e Grupit të Përbashkët të Punës do të lehtësojë bashkëpunimin dypalësh me qëllim finalizimin e Koridorit Rrugor VIII deri në vitin 2030, duke shprehur vullnetin e përbashkët për të bashkëpunuar në realizimin e projektit.

18. Protokoll ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-thanë/ Qafasan

Ky protokoll parashikon thjeshtëzimin e procedurave të kontrollit kufitar në interes të lehtësimit në qarkullimin e njerëzve, mjeteve dhe mallrave, bazuar në parimin “Një ndalesë – Një kontroll” (one stop shop) dhe gjen zbatim tek të gjitha procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar në PPKK Qafë Thanë/ Qafasan, si dhe marrëdhënieve ndërmjet zyrtarëve policorë.
Zbatimi i këtij protokolli parashikohet në Nenin 16 të “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë”

19. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për vendosjen e transportit ndërshtetëror ndërmjet liqenit të Ohrit.

Nëpërmjet kësaj Marrëveshje pala shqiptare dhe pala maqedonase bien dakord të vazhdojnë dhe mirëmbajnë linjën e transportit përtej liqenit të Ohrit me pikën kufitare në Shën Naum dhe Pogradec.
Objektivi i kësaj Marrëveshjeje do të jetë përmbushja e kërkesave të transportit ujor ndërkombëtar si dhe përdorimi i plotë dhe efikas i flotës detare dhe porteve të të dyja Palëve, sigurimi i sigurisë në lundrim, duke përfshirë sigurimin e anijes, anëtarëve të ekuipazhit, ngarkesave, pasagjerëve dhe mbrojtjen e mjedisit, rritja e nivelit të mbrojtjes së turizmit; zhvillimi i transportit ujor të brendshëm, si dhe forcimi i kontakteve në fushën e shkencës, teknologjive të transportit ujor të brendshëm dhe shkëmbimi i përvojës së fituar.
Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për vendosjen e transportit ndërshtetëror ndërmjet liqenit të Ohrit”, do të ratifikohet me ligj, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe do të hyjë në fuqi në datën e marrjes së njoftimit të fundit me shkrim me të cilin palët njoftojnë njëra-tjetrën për përfundimin e të gjitha procedurave të brendshme të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.

20. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për delegimin e trafikut ajror në një pjesë të hapësirës ajrore mbi liqenin e Ohrit.

Nëpërmjet kësaj Marrëveshje pala shqiptare dhe pala maqedonase, bien dakord që përgjegjësia për kontrollin e trafikut ajror do të transferohet nga një njësi ATS e Shtetit Delegues në një njësi tjetër ATS në një Shtet Ofrues fqinj, sipas dispozitave të përcaktuara në Aneksin 11 dhe sipas kushteve të këtë Marrëveshje. Informacioni i kontrollit në lidhje me transferimin do të shkëmbehet ndërmjet njësive ATS në fjalë duke pasur parasysh rregulloret kombëtare në fuqi dhe rrethanat lokale.
Marrveshja lehtëson kryerjen e sigurt të operacioneve të fluturimeve ndërkombëtare përtej kufijve të tyre të përbashkët shtetërorë, në Ohër, aeroporti apostull i Shën Palit, në interes të përdoruesve të hapësirës ajrore dhe pasagjerëve të tyre.
Shteti delegues bie dakord që njësia përkatëse ATS e Shtetit Ofrues të ofrojë shërbime të trafikut ajror në një pjesë të hapësirës ajrore të shtetit delegues, në përputhje me kushtet e kësaj Marrëveshjeje. Për këtë qëllim, Shtetet Kontraktuese autorizojnë Njësitë e tyre përkatëse ATS për të përfunduar Letër Marrëveshjeje (LoA).
Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për delegimin e trafikut ajror në një pjesë të hapësirës ajrore mbi liqenin e Ohrit”, do të ratifikohet me ligj, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe do të hyjë në fuqi sapo shtetet kontraktuese të kenë njoftuar njëri-tjetrin me shkrim për plotësimin e kërkesave të tyre ligjore përkatëse.