Lista Serbe dhe Beogradi reagojnë pas dënimit të Todosijeviçit

schedule15:50 - 28 Mars, 2023

schedule 15:50 - 28 Mars, 2023

Subjekti më i madh i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, tha se Gjykata e Apelit në Prishtinë ia ka dorëzuar vendimin për zyrtarin e kësaj partie, Ivan Todosijeviq, sipas të cilit, ai është dënuar me një vit burgim për mohimin e masakrës së Reçakut.

Lista Serbe tha se e sheh këtë aktgjykim si mesazh të Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se pjesëtarët e komunitetit serb “nuk kanë vend në Kosovë”.

Në rastin që u kthye në rigjykim, Todosijeviq u dënua me një vit burgim për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”.

Rasti ndaj tij ka të bëjë me deklaratat që përmbanin gjuhë të urrejtjes lidhur me masakrën në Reçak.

Todosijeviq ka deklaruar në mars të vitit 2019 se arsye për “agresionin e NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se Todosijeviq është ftuar që më 3 prill të paraqitet në qendër të paraburgimit për të nisur vuajtjen e dënimit.

Kjo zyrë tha se do ta njoftojë të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it lidhur me dënimin e Todosijeviqit.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, avokati i Todosijeviqit, Nebojsha Vllajiq, tha se do të ankohen në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila e kishte kthyer rastin në rigjykim në fillim të vitit 2021.

“Çfarëdo që bëhet verbalisht, me fjalë, gojarisht, [për këtë] askush nuk mund të shkojë në burg. Kjo nuk është vepër penale”, tha ai.

Më 2021, dënimi me burgim për Todosijeviqin u shty dy herë, pasi Supremja e ktheu rastin në rigjykim.

Todosijeviq është anëtar i kryesisë së Listës Serbe, parti kjo që më herët ka marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe ka qenë pjesë e Qeverisë.

Aktualisht ai është kryetar i Komunës paralele të Zveçanit, që funksionon sipas sistemit serb.

Në kohën kur Todosijeviq bëri deklaratat për masakrën e Reçakut, ai mbante postin e ministrit të Administrimit të Vetëqeverisjes Lokal në Qeverinë e Kosovës. Më pas ai u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përveç se i kishte cilësuar si “trillim” ngjarjet në Reçak, deklaratatat e bëra në 20-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershëm, Todosijeviq tha po ashtu se “terroristët shqiptarë, që i shpikën të gjitha, i bënë krimet më të mëdha në Kosovë dhe Metohi, për të cilat askush nuk është burgosur dhe nuk ka dhënë përgjegjësi deri më sot”.

NATO nisi sulmet ndaj caqeve serbe për të parandaluar dhunën e ushtruar nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kësaj ngjarje i parapriu vrasja e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak të Shtimes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht i ka dalë në mbrojtje Todosijeviqit, duke thënë se ai beson se “Reçaku është trillim” dhe se serbët në Kosovë nuk kanë të drejtë të lirisë së fjalës.

/rel

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!