Nëse Çekia i ka shpallur emrat e lojtarëve, Shqipëria nuk e ka bërë ende.
Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë për Abc-në se lista e futbollistëve për dy ndeshjet eliminatore të radhës në Euro 2024 ka mbetur peng e problemeve teknike që trajneri Silvinjo ka me disa futbollistë.
Nuk thuhet se cilat janë këto probleme, por ndoshta mund të jetë fjala për dilemat e teknikut brazilian për lojtarët që duhet të përzgjedhë për Çekinë e Poloninë.
Këto burime në Federatë theksojnë se është e sigurt që në listën e kombëtares nuk do të jetë Armando Broja, që nuk ka luajtur asnjë minutë për Chelsea që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Po ashtu, nuk pritet të jetë Xhakomo Vrioni, ylli që po dallohet në ligën profesioniste amerikane, dhe kjo sepse Silvinjo kërkon një qendërsulmues, jo një sulmues të dytë.
E sigurt është që do të vijë Arbnor Muja, por me gjasë edhe Mirlind Daku që luan në Premier Ligën e Rusisë për Rubinin.
Daku është në konkurrim me Bekim Balajn e Vllaznisë, pasi kërkohet një sulmues i fortë në lojën në ajër.
Silvinjo do të dalë të premten në konferencë për shtyp për të folur për lojtarët e përzgjedhur dhe ndeshjet, ndërsa më pas do të nisë grumbullimi.
Kombëtarja luan në Pragë ndaj Çekisë dhe pastaj pret Poloninë në Tiranë, përkatësisht në 7 e 10 shtator./ h.ll/abcnews.al