Lirohet pas 52 vitesh burg, “engjëlli i vdekjes” i kultit Manson

schedule08:16 - 12 Korrik, 2023

schedule 08:16 - 12 Korrik, 2023

Është lënë e lirë me kusht pas më shumë se 52 vitesh burg 72-vjeçarja Leslie Van Houten, një ndër “engjëjt e vdekjes” së sektit të Charles Manson që mbolli panik dhe horror në Los Angeles në fundin e viteve 1960.

Lirimi i saj pritej pasi guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom u tërhoq nga apelimi i një vendimi të gjykatës së apelit shtetëror për t’i dhënë burgim me kusht të burgosurës, e cila ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e tmerrshme Leno dhe Rosemary LaBianca në vitin 1969.

Leslie Van Houten, e njohur me nofkën “engjëlli i vdekjes” i Charles Manson, nuk mori pjesë në masakrën e Cielo Drive në Los Anxhelos, ku u masakrua në muajin e tetë të shtatzënisë aktorja  Sharon Tate, shoqet e saj dhe një djalë 18-vjeçar.

Vrasjet u kryen nga Tex Watson, Susan Atkins dhe Patricia Krenwinkel, nën drejtimin e Manson. Charles Manson, udhëheqësi i çmendur i kultit që quhej “Familja Manson” kishte një listë me yje Hollivudi që kishte planifikuar të vriste.

Mes tyre ishin edhe aktorja e famshme Elizabeth Taylor dhe këngëtarët Tom Jones dhe Frank Sinatra. Plani i Manson ishte të vriste sa më shumë VIP-a, për të nisur një luftë racash, që do t’i jepte fund botës.

Ai pretendonte që të bënte përgjegjës për vrasjet anëtarët e Panterave të Zeza (Black Panthers), me shpresën se kjo do të niste një luftë të përgjakshme mes të bardhëve dhe personave me ngjyrë.

/abcnews.al