Lirohen 4 pengje në Afrikën Perëndimore

schedule19:59 - 10 Maj, 2019

schedule 19:59 - 10 Maj, 2019

Përmes një operacioni blic, forcat speciale franceze kanë liruar 4 persona të marrë peng në Afrikën perëndimore. Pengjet, dy prej të cilëve me nënshtetësi franceze, ishin rrëmbyer prej 9 ditësh.

Katër pengje, mes të cilëve dy shtetas francezë, janë liruar në një operacion blic të forcave speciale franceze në Afrikën perëndimore. Lajmin e ka bërë të ditur Parisi zyrtar, që ka saktësuar se dy pengjet e tjera janë një shtetase amerikane dhe një koreano-jugore.

Sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, gjatë operacionit kanë humbur jetën 6 persona, konkretisht 2 ushtarë francezë dhe 4 pengmarrës. 4 personat ishin marrë peng më 1 maj, në shtetin e Beninit dhe më pas ishin transferuar nga agresorët në shtetin fqinj të Burkina Fasos.

Dy francezët, të dy mësues muzike, ishin zhdukur në një park të thellë kombëtar, ku po kryenin një ekspeditë. Guida e tyre u gjet e vdekur në parkun në fjalë, që ndodhet në zonën kufitare të vendit afrikan, ku militantët islamikë kanë rritur ndjeshëm aktivitetet e tyre në muajt e fundit.

Ndërkohë, për dy pengjet e tjera nuk dihen shumë detaje. Mediat koreano-jugore cituan një zyrtar qeveritar të thoshte se autoritetet nuk kishin të dhëna për një shtetase të humbur dhe se po përpiqen të vendosin kontakte me gruan e shpëtuar, për të verifikuar nënshtetësinë e saj.

Ndërkohë, ministrja franceze e Mbrojtjes, Florens Parli falenderoi ushtarakët për operacionin e kryer, si dhe forcat e armatosura të vendeve afrikane që dhanë ndihmën e tyre./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!