Lirimi i Billës, përfundon seanca për prokurorin Bujar Memia, KLP thotë fjalën e tij pas dy javësh

schedule15:43 - 16 Mars, 2021

schedule 15:43 - 16 Mars, 2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të marrë vendimin për prokurorin e Krujës Bujar Memia më datë 31 Mars. Në seancën e sotme, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka përcjellë edhe njëherë kërkesën për shkarkimin e Memisë nga sistemi i drejtësisë me argumentin se nuk ka ankimuar vendimin e gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha për lirimin nga qelia të Hekuran Billës, i cili u vra më 11 qershor të vitit të kaluar.

“Sot, më 16.03.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi seancën dëgjimore mbi procedimin disiplinor nr.104, datë 15.01.2021, filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndaj magjistratit B.M., me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Krujë.

Në seancë, Këshilli dëgjoi një përmbledhje të raportit hetimor të paraqitur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, si dhe prapësimet e subjektit të procedimit disiplinor dhe avokatëve të tij, z. Fatmir Braka dhe z. Alteo Papa. Gjithashtu, disa nga anëtarët e Këshillit iu drejtuan palëve në lidhje me sqarimin e çështjeve dhe rrethanave, për të cilat Këshilli kishte interes.

Në përfundim të seancës dëgjimore, palët paraqitën pretendimet përfundimtare, ku nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u rikonfirmua kërkesa për procedim disiplinor si dhe propozimi për dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, ndërsa nga ana e prokurorit dhe përfaqësuesëve të tij u kërkua rrëzimi i kërkesës se ILD-së, duke e cilësuar atë si të pabazuar në ligj dhe në fakte.

Në përfundim të seancës dëgjimore, Këshilli njoftoi se vendimi përfundimtar në lidhje me këtë procedim disiplinor do të merret në seancën plenare të Këshillit, e cila do të zhvillohet më 31.03.2021, ora 11.00”, thuhet në njoftim./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!