Marcello Lippi është rikthyer të flasë në lidhje me kombëtaren italiane të futbollit. Trajneri i njohur, i cili dërgoi Italinë në majën e botës në vitin 2006, ndihet entuziast për ekipin e krijuar nga Roberto Mancini dhe nuk i kursen elozhet për të.
71-vjeçari komenton edhe ecurinë e klubeve italiane në Champions, duke vlerësuar Juventusin dhe Napolin. Bardhezinjtë i sheh si kandidatë, ndërsa vlerëson shumë edhe rritjen e Napolit të Ançelotit.
ITALIA – “Kombëtarja është në rrugë të drejtë. Mancini është i aftë dhe inteligjent. Po arrin të përfshijë në ekip shumë lojtarë të rinj. Roberto po grumbullon lojtarë edhe pa pritur debutimin e tyre në kampionat dhe mendoj që ky është një sinjal i rëndësishëm dhe mesazh i bukur për klubet.”
CHAMPIONS LEAGUE – “Mendoj se Juventusi bën pjesë në grupin e vogël prej 3-4 skuadrave që mund të triumfojnë në fund. Kjo është shumë e rëndësishme, por mos të harrojmë Napolin. Nëse vazhdon në këtë mënyrë mendoj se do të respektohet shumë nga klubet e tjera.” /abcnews.al