Lionel Mesi është i paarritshëm me golat nga goditja e dënimit. Argjentinasi ka shënuar në 4 vitet e fundit, më shumë sesa çdo skuadër në Europë.
Ishte një përgjigje apo thjesht vazhdimësi? Çfarë emri mund t’i vihet spektaklit të rrallë të Lionel Mesit në përballjen e fundit në kampionatin spanjoll, atë ndaj Espanjolit, pas dy golave jo të zakonshëm? Të dyja hipotezat mund të jenë e vërteta, pasi kapiteni i Barcelonës tregoi se i rri ngushtë votimi si lojtari i pestë më i mirë në botë për Topin e Artë 2018. Po ashtu, ai konfirmoi se pavarësisht se fiton ose jo çmimet individuale, mbetet numri 1 në botë.
Me dy golat nga goditja e dënimit në derbi, argjentinasi arriti një nivel vërtet që vështirë të mendohej. Gazeta “Marka” bën një llogari dhe gjen se që nga sezoni 2014-2015, ai ka shënuar më shumë gola nga goditja e dënimit se çdo skuadër tjetër, me përjashtim të njërit. Me plot 17 të tillë, Mesi është baraz me Juventusin, por për të cilin kanë shënuar të gjithë lojtarët. Leo doli në krye të shënuesve më të mirë të kampionatit me 11 gola, po aq sa Stuani, ndërsa është në krye të renditjes së pasimeve për gol, me 8 të tillë. Gazetat katalanase mezi e pritën rastin.
“El Mundo Deportivo”: “Mbreti Mesi! Paraqitje e madhe, me dy gola me goditje dënimi dhe asist për Dembelenë!”
“Sport”: “Topi i Artë ngjyroset! Spektakël i Mesit që i bën qesharakë ata që e votuan si lojtarin e pestë më të mirë të botës!”
“Marka”: “Mesi nis festën argjentinase! Paraqitje e madhe në derbi me dy gola nga goditja e dënimit!”
Tridhjetenjëvjeçari, ndërkaq, u bë i vetmi lojtar në historinë e La Ligës që shënon më shumë se 10 gola në 13 sezone radhazi. Pak ditë më parë, Luka Modriç, u shpreh se “Topi i Artë nuk fitohet vetëm duke shënuar gola”, por Mesi bën shumë më tepër se kaq, pasi thuajse çdo aksion i Barcelonës nis nga këmbët e tij./abcnews.al