Lindja e Mesme, në fokus të bisedimeve Izrael-Rusi

schedule14:33 - 22 Tetor, 2021

schedule 14:33 - 22 Tetor, 2021

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, po viziton për herë të parë Rusinë që nga zgjedhja e tij në këtë pozitë në muajin qershor të këtij viti.

Bisedimet me presidentin rus, Vladimir Putin, pritet të fokusohen në Lindjen e Mesme.

Televizioni shtetëror rus transmetoi pamjet e fillimit të bisedimeve në qytetin turistik të Soçit në brigjet e Detit të Zi.

Putin ka thënë se të dyja vendet kanë lidhje “unike” dhe që shpresonte në vazhdimin e raporteve të mirëbesimit që kishte me qeverinë e mëparshme izraelite të udhëhequr nga Benjamin Netanyahu.

Ndërsa kryeministri Bennett i tha Putinit se Izraeli e sheh atë si “një mik të vërtetë të popullit hebre” dhe vlerësoi lartë përpjekjet e luftës sovjetike kundër Gjermanisë naziste.

Gjatë nisjes për në Soçi, Bennett tha se sa i takon politikës së jashtme të vendit të tij, marrëdhëniet me Moskën janë një “element i rëndësishëm”.

Kryeministri izraelit konfirmoi se të dy udhëheqësit do të diskutojnë për “situatën në Siri dhe angazhimet për të parandaluar programin bërthamor ushtarak të Iranit”.

Moska është një nga nënshkruesit e një marrëveshjeje të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.

SHBA-ja është tërhequr nga marrëveshja më 2018 dhe ka vendosur sanksione të ashpra nga Iranit.

Teherani ka kohë që po i shkel kushtet e marrëveshjes.

Të dyja vendet po bëjnë përpjekje të ringjallin marrëveshjen përmes bisedimeve indirekte në Vjenë të Austrisë, por nuk është shënuar ndonjë përparim.

Muajin e kaluar, Bennett i tha Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Izraeli “nuk do të lejojë që Irani të posedojë armë bërthamore”./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!