Aktivistë pro LGBTQ përpiqen të kundërshtojnë historitë që tregojnë konservatorët, sipas të cilave homoseksualiteti nuk ka vend në kulturën myslimane. Në historinë e rajonit ka dëshmi që tregojnë për të kundërtën.
“Kur përpiqem t’i lë përshtypje të mirë dikujt, unë dërgoj poema klasike që vlerësojnë bukurinë mashkullore,” i thotë Deutsche Welles Fouadi, një homoseksual 26-vjeçar, në një bisedë telefonike. “Ka dhënë prova që është metodë shumë efektive,” thotë ai duke qeshur.
Fouadi është nga Libani, një nga pak vendet arave ku homoseksualiteti nuk është i paligjshëm në mënyrë eksplicite. Por për shkak të sulmeve të fundit të qeverisë kundër komunitetit lokal LGBTQ, ai preferon të mos bjerë në sy dhe nuk e jep emrin e plotë.
Fouadi ka gjetur frymëzim tek poemat klasike të poetit të shekullit të 8-të, Abu Nawas, i njohur për vargjet homoerotike që ka shkruar.
Abu Nawas dhe shumë poetë të tjerë klasikë arabë, persë dhe turkë kanë zbuluar dëshirat brenda të njëjtës gjini shekuj më parë. Por trashëgimia e tyre është lënë mënjanë nga historia moderne e Lindjes së Mesme, sepse në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit homoseksualiteti dënohet me ligj.
Pretendimi se marrëdhëniet brenda të njëjtës gjini nuk janë pjesë e kulturës vendase në Lindjen e Mesme mbështetet nga shumë udhëheqës zyrtarë dhe fetarë. Një shembull është Ahmed al-Tayeb, Imami i Madh i Al Azharit, qendrës njëmijëvjeçare të mësimit sunit në Kairo, Egjipt. Në mënyrë të përsëritur, Al Tayeb e quan homoseksualitetin importim nga kultura perëndimore.
Por shumë aktivistë LGBTQ mendojnë ndryshe. Për përhapjen e homofobisë në rajon ata ia venë fajin kolonializmit.
Në një video për TED talk, Blair Imani, një grua queer myslimane afrikano-amerikane, e kritikon idenë sipas të cilës shoqëritë myslimane historikisht kanë patur qëndrim të ashpër ndaj seksualitetit. “Kur myslimanët dhe të krishterët u puqën me njërit tjetrin, myslimanët njiheshin për tolerancë më të madhe seksuale (se sa kristianët),” i thotë ajo publikut të saj.
Sidoqoftë, historia e romancave brenda të njëjtës gjini në Lindjen e Mesme është komplekse dhe me faza të errëta.
Si i ka trajtuar Lindja e Mesme fillimisht dëshirat brenda gjinisë?
Studimet historike kanë treguar se mbretër, komandantë dhe gjyqtarë por edhe njerëz të zakonshëm janë treguar relativisht të hapur kundrejt dëshirave jo heteroseksuale.
Për shembull, udhëtarë myslimanë që kanë vizituar Europën në mes të shekullit të 19-të kanë menduar se duhet thënë se europianët nuk shprehin hapur pëlqim për të rinjtë. Kurse udhëtarët europianë që kanë vizituar komunitetet arabe para kolonizimit janë shokuar kur kanë parë se burrat shprehnin hapur pëlqimin për djemtë e rinj.
Dokumentet tregojnë njohje të personave transgjinorë, fjalorët dhe enciklopeditë mesjetare arabë përshkruajnë pesë ose më shumë kategori gjinore. Në një ese të shkruar në vitin 2020, Shireen Hamza, një studiuese e Universitetit të Harvardit, i përshkruan këto gjini si “gra, gra mashkullore, khuntha, burra si gra ose burra.”
“Khuntha” ka qenë diku midis gjinive. Hamza shkruan kështu për raste gjyqi ku një gjyqtar mysliman ka lejuar në Damaskun e shekullit të 16-të një grua transgjinore të martohet me një burrë, që kishte rënë në dashuri me të.
Pranim i personave LGBTQ?
Megjithatë historianët ngurojnë ta quajnë tolerante ndaj LGBTQ Lindjen e Mesme të periudhës së para kolonializimit.
Në shoqërinë mylimane orientimi seksual nuk është vlerësuar si i rëndësishëm për identitetin e personit. Bota mesjetare arabe e ka parë tërheqjen seksuale në mënyrë kontradiktore, shkruan Khaled el-Rouayheb, një historian në Universitetin e Harvardit.
Shprehja e tërheqjes për të njëjtën gjini është shoqëruar me shkallë të ndryshme tolerance dhe mungese tolerance, shpjegon el-Rouayheb në librin e tij me titull “Para homoseksualitetit”, botuar në vitin 2007.
Dijetarët arabë për shembull kanë bërë dallimin midis marrëdhënies seksuale midis dy meshkujve dhe shprehjes më pak fizike të dashurisë për një mashkull tjetër.
E para është konsideruar mëkat, kurse e dyta shenjë e ndjeshmërisë së rafinuar, aftësisë për të vlerësuar bukurinë njerëzore.
Si u përhap homofobia?
Sjelljet kundrejt tërheqjes brenda të njëjtës gjini kanë ndryshuar radikalisht në Lindjen e Mesme të tanishme, ku një rol të rëndësishëm mendohet të ketë luajtur kolonializimi perëndimor.
Franca dhe Britania, dy fuqi që kanë kontrolluar pjesë të mëdha të botës arabe, futën kodet e para penale kundër homoseksualitetit në rajon. Në Algjeri për shembull, forcat kolonizatore franceze vendosën dënime të ndryshme për marrëdhëniet brenda të njëjtës gjini, përfshirë burgimin dhe punën e detyruar.
Influenca e tyre vazhdon të ketë ndikim edhe pas largimit nga kolonitë. Projektet kombëtare përshtatën nocionet kolonialiste që e vlerësonin tërheqjen brenda gjinisë si dekadencë ose formë të sëmundjes mendore. Lëvizjet islamiste vazhduan në të njëjtën mënyrë me kriminalizimin e marrëdhënieve brenda të njëjtës gjini. Si rezultat, poetë si Abu Nawasi, që për një kohë të gjatë janë vlerësuar për talentin e tyre letrar, u kthyen në figura të diskutueshme dhe poezia e tyre u censurua.
Trashëgimi e harruar
Bota arabe ndodhet ende në qorrsokak lidhur me këtë çështje, mendon Samar Habib, një shkrimtare dhe studiuese e pavarur që jeton në SHBA. Por komuniteti LGBTQ është duke riparë historinë për të luftuar diskriminimin, thekson ajo. “Kjo është mënyra se si krijohet rezistenca,” i tha Habib Deutsche Welles.
Letërsia perse dhe arabe është duke u përdorur nga aktivistët pro LGBTQ për të demostruar se homophobia nuk është universale në historinë dhe kulturën arabe dhe perse, thotë Habib.
Mashrou Leila, një grup i njohur muzikor roku indie nga Libani, ka prodhuar dhjetra këngë për dashurinë brenda gjinisë, duke bërë aludime historike dhe tradicionale dhe duke përmendur figurat si Abu Nawasi. Mbështetja e hapur që grupi i bën komunitetit LGBTQ ka hasur reagime të ashpra nga disa qeveri të rajonit, reagime që rezultuan me ndalimin e tyre në Liban, Jordani dhe Egjipt, gjë që shkaktoi shpërbërjen përfundimtare të grupit, në vitin 2022.
Po ashtu trashëgima e komunitetit LGBTQ në Lindjen e Mesme është duke u përdorur gjithnjë e më shumë në artet vizuale dhe pikturë. Një shembull i mirë është “Habibi, les revolutions de l’amour” (ose Habibi, Love Revolution”), një ekspozitë arti në Institutin e Botës Arabe të Parisit, që tregon për kulturën queer të Lindjes së Mesme, duke përzier elementë tradicionalë dhe referenca historike nga kultura arabe dhe perse,
Mediat sociale janë duke parë rritje të numrit të mesazheve që vlerësojnë dashurinë brenda të njëjtës gjini në letërsinë dhe historinë e shoqërive me shumicë myslimane, ku disa përdorues sugjerojnë se ligjet islamike kanë shumë hapësirë për interpretime, përfshirë edhe të drejtat e LGBTQ.
Nevojë për rivlerësim kritik të së kaluarës
Komuniteti LGBTQ në Lindjen e Mesme has me një sfidë të dyfishtë, thotë për Deutsche Wellen, Aya Labanieh, një studiuese në Universitetin Columbia të Nju Jorkit. “Nga njëra anë është represioni në shtëpi, që i jep formë identitetit duke qenë një gjë e importuar, e huaj për shoqërinë dhe kulturën islamike. E dyta ka të bëjë me historitë islamofobe që i trajtojnë ata si gura shahu duke i përdorur vuajtjet e tyre për të portretizuar me ngjyrë të errët shoqëritë myslimane.” Ajo nënvizon se aktivistët queer janë duke vënë gjithnjë e më në pah aspektin indigjen të identitetit të tyre.
Sidoqoftë, e kaluara nuk duhet mbivlerësuar, vlerëson Labanieh. “E nevojshme është rishikimi kritik, që merr në konsideratë vlerat moderne si barazia dhe të drejtat,” thotë ajo.
I nxitur nga i ati, Fouad filloi të lexojë poezi klasike arabe që në moshë të re. Gjë që e ndihmoi më vonë për të gjetur mbrojtje nga trauma. “Unë njoh shumë homeksualë dhe lezbike që janë rritur duke urryer veten, sepse i kanë bërë të besojnë se diçka nuk është në rregull me ta,” thotë ai. “Unë nuk kam patur përvoja të tilla sepse që në moshë adoleshente unë pashë se edhe gjenitë si Abu Nawasi kanë patur dëshira të njëjta me të miat.”
Para përfundimit të intervistët, Fouad reciton vargjet e preferuara nga poezitë e Abu Nawasit, duke thënë se ato japin një mesazh për të gjithë: “Let go of the costumes and ethics that have been destroyed over time, left to the wind and rain, given to inevitable decay. Be among those who live life in pleasures and risks.” /DW