Lija e majmunëve përhapet me shpejtësi, konfirmohen 219 raste në 19 vende

schedule12:06 - 26 Maj, 2022

schedule 12:06 - 26 Maj, 2022

Deri më tani janë raportuar 219 raste me linë e majmunëve në 19 vende, përveç vendeve afrikane ku sëmundja është endemike, sipas të dhënave të përditësuara të publikuara nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Përveç 11 vendeve afrikane, tre vende kanë regjistruar aktualisht numrin më të madh të rasteve të konfirmuara: Mbretëria e Bashkuar, vendi i parë që identifikoi rastet e para në fillim të majit (71), Spanja (51) dhe Portugalia (37), sipas ECDC.

Kjo është hera e parë që lija e majmunëve është raportuar në Europë pa kontakte me Afrikën Perëndimore ose Qendrore, ku sëmundja është endemike.

“Shumica e rasteve janë të rinj dhe homoseksualë. Deri më tani nuk është raportuar asnjë viktimë.”, sqaron ECDC me bazë në Stokholm.

Europa ka regjistruar numrin më të madh të rasteve me 191, përfshirë 118 në vendet e BE-së. Kanadaja (15), Shtetet e Bashkuara (9), Australia (2), Izraeli (1) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (1) janë gjashtë jo-europianë ku është raportuar lija e majmunëve.

Numri i përgjithshëm i rasteve të zbuluara nga ECDC të hënën është rritur pothuajse pesëfish që nga raporti i parë më 20 maj. Të hënën, ECDC e konsideroi probabilitetin e transmetimit në popullatën e përgjithshme si të ulët, por paralajmëroi se ata që kishin më shumë se një partner – pavarësisht nga orientimi i tyre seksual  ishin më të rrezikuar.

Lija e majmunëve është një virus që zakonisht shkakton ethe dhe skuqje në lëkurë, të ngjashme me ato të lisë së dhenve. Konsiderohet si një sëmundje e lehtë dhe zakonisht shërohet për dy deri në katër javë pa pasur nevojë për ndonjë trajtim.

Mënyra më e zakonshme e transmetimit është nëpërmjet kontaktit me  një person të infektuar ose marrëdhënieve seksuale. Virusi mund të transmetohet edhe nga piklat e frymëmarrjes.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!