GJKKO ka lënë në burg ish-kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Ishte SPAK që kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Tushen, kërkesë kjo që u miratua pas shqyrtimeve në GJKKO.
Po ashtu në pranga ranë edhe Flamur Peqini, Drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike dhe 9 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lushnjes. Sipas prokurorisë, faktohet se Tushe ka bashkëpunuar me Peqinin në tenderin korruptiv për ndërtimin e një kanali.
Hetimet kanë nisur prej korrikut të kaluar, me dyshimin se Flamur Peqini që mbante postin e drejtorit të Ndërmarrjes së pasurive publike, përmes korrupsionit ka favorizuar një kompani për të fituar tenderin me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e kanalit në fjalë. Referuar dosjes hetimore në garë u paraqitën 3 kompani: Avduli dhe Bahas shpk, Hastoçi shpk dhe EuroAlb shpk.
Në fund fituese u shpall firma Eruo Alb shpk. Rezulton se punimet nuk u kryen prej këtij subjekti që ka për administrator Bujar Muratin, por nga Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk që ka përvetësuar edhe shumën e parave. Ky person, siç thuhet edhe në dosje, ka shfrytëzuar lidhjen shoqërore me Tushen dhe drejtorin Peqini, por edhe lidhjen familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Arben Muratin.
Në përgjimet e SPAK del edhe një politikan i identifikuar si “B…” . Nga bisedat e përgjuara, kuptohet se personi me ketë inicial është një zyrtar me ndikim të fortë ne pushtetin vendor dhe jo vetëm. Biznesmeni Ibrahim Lami i cili u arrestua bashkë me Fatos Tushen thotë se e ka shoqëruar atë për në parlament.
Ndërkohë në përgjimet e SPAK, rezulton që Tushe abuzon edhe me karburantin e shtetit, po ashtu edhe për ndërtim pa leje duke ndërhyrë që të mos bëhet kontroll.
Në një nga bisedat e përgjuara, dëgjohet teksa një person që do ikte me pushime dhe merr Fatos Tushen që të furnizojnë makinën. Sipas akuzës Flamur Peqini, në vazhdimësi komunikon me persona të ndryshëm punonjës të një pike karburanti dhe me porosi të tij furnizohen me karburant automjete të ndryshme.
Në arrest me burg u lanë:
Fatos Tushe, me detyrë Kryetar i Bashkisë Lushnjë
Flamur Peqini, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë
Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk
Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb shpk
Gazmend Çela, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës
Bektash Nexha zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës
Blerta Turku, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës.
Ndërsa në arrest shtëpie u lanë:
Margarita Gjermeni, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës
Andri Musho, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës
Ani Simoni, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës
Xhemal Hasko, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës.
Ndaj 11 të arrestuarve SPAK ka ngritur akuzat për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendera.
Kujtojmë se Tushe u arrestua dy ditë më parë për shpërdorim detyre me akuzën e abuzimit me fondet publike. Me urdhër të SPAK gjithashtu u arrestuan edhe dhjetë punonjës të tjerë të bashkisë. Një tender me vlerë 24 milionë lekë është shkelja që çoi në operacionin masiv të Prokurorisë së Posaçme. /abcnews.al/