Ligjvënësit francezë do ta hedhin në votim të mërkurën një mocion votëbesimi kundër Qeverisë, i cili pritet të kalojë dhe ta zhysë edhe më thellë në krizë politike ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës.
Nëse nuk ndodh ndonjë befasi në çastet e fundit, Qeveria e kryeministrit Michel Barnier, do të bëhet e para që shkarkohet përmes votëbesimit në 60 vjetët e fundit.
Në një intervistë televizive të martën, Barnier tha se ende beson se Qeveria e tij mund t;i mbijetojë votëbesimit, i cili pritet të votohet në mbrëmje pas një debati që nisë në orën 16:00.
Por, partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar (RN), e ka bërë të qartë të mërkurën në mëngjes se do të votojë së bashku me partitë majtiste për ta rrëzuar Qeverinë.