Në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar projektligji për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.
Ulja e moshës mesatare në Policinë e Shtetit, tashmë, është formalizuar në një projektligj të miratuar nga qeveria, ndërsa në janar do të shqyrtohet në Parlament.
Sipas këtij projektligji, punonjësit e policisë do të përfitojnë trajtim financiar, edhe nëse largohen nga radhet e uniformave blu përpara se të dalin në pension.
Me të mbushur moshën e pensionit të pleqërisë, 55 vjeç, ata përfitojnë pension të plotë pleqërie, nëse përmbushin kriterin prej 30 vjet punë.
E njëjta mundësi vlen edhe për punonjësit e Gardës së Republikës dhe ato të Shërbimit për Çështjet e Brendshme, ndërsa trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit. Më pas, kjo kërkesë duhet të marrë miratim nga një Komision i Posaçëm përbërja e të cilit do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Po ashtu në projektligj thuhet se, trajtimi financiar për punonjësit e policisë gjatë periudhës kalimtare, përpara se të dalin në pension, do të jetë 50 % e pagës neto që kanë marrë, në detyrën e fundit që kanë patur, kur janë ndërprerë marrëdhëniet financiare.
PROJEKTLIGJ
PËR TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, GARDËS SË REPUBLIKËS DHE SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT (SHÇBA), NË MINISTRINË E BRENDSHME, PAS NDËRPRERJES SË MARRËDHËNIEVE TË PUNËS
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.
Neni 2
Subjektet përfitues
Subjekte të përfitimit të trajtimit financiar, sipas këtij ligji, janë punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, me gradë dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë ligj.
Neni 3
Vjetërsia në shërbim
Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi, vjetërsia e shërbimit e përcaktuar në legjislacionin e posaçëm që rregullon veprimtarinë e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme.
Neni 4
Kriteret e përfitimit të trajtimit financiar
- Punonjësi i Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat përfiton trajtimin financiar sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur:
a) ka mbushur moshën 55 vjeç;
b) plotëson 30 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat apo në struktura të tjera shtetërore me gradë. - Trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij neni, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
- Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
- Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë.
- Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Posaçëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 5
Financimi
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji, mbulohen nga buxheti vjetor përkatës i miratuar për Ministrinë e Brendshme.
Neni 6
Indeksimi
Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat indeksohet sa herë bëhet indeksimi i pensioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 7
Detyrimet e përfituesit, sipas këtij ligji
- Punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, që përfitojnë trajtimin financiar sipas këtij ligji, kanë detyrimin të aktivizohen në shërbim deri në 700 orë në vit dhe, gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjtat të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar.
- Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji. Ndërprerja e përfitimit të trajtimit financiar bëhet me propozim të titullarit të institucionit përkatës dhe miratim të Komisionit të Posaçëm.
- Rregullat dhe procedura për aktivizimin në shërbim, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 8
Dispozita kalimtare dhe të fundit
- Dispozitat e këtij ligji zbatohen vetëm për punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji, dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pas hyrjes në fuqi të tij.
- Trajtimi financiar ndërpritet kur përfituesi rikthehet në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si dhe në rastet kur punësohet në sektorin publik.
- Trajtimi financiar, i përfituar nga ky ligj, nuk prek përfitimet që i lindin punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, nga legjislacioni në fuqi.
Neni 9
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të nxjerrë vendim në zbatim të neneve 4, pika 5 dhe 7, pika 3, të këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Projektligji u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave./abcnews.al