Ligji i sigurimeve, Senja: U prek thelbi, tani kompanitë mund të bëjnë si të duan

schedule19:14 - 19 Shkurt, 2021

schedule 19:14 - 19 Shkurt, 2021

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi dje projektligjin që sanksionon që sigurimi i automjeteve  në bazë të historikut të aksidenteve do të mbetet në varësi të kompanive për t’u zbatuar. Sistemi “Bonus-Malus” parashikon që një kompani të ofroj çmime më të ulëta siguracioni për drejtuesit e rregullt të automjeteve.

Por cfarë do të thotë më konkretisht kjo? Kryeredaktori i Abcnews.al Emirjon Senja i ftuar në studio përballë gazetarit Endri Xhafo u shpreh se drafti për këtë projektligj ka qenë i ndërtuar mirë, por shtoi se më pas u “futën duart” në të dhe përfundimi është diçka tjetër.

“Filloi të futeshin duart në draft, e kam ndjekur se kam qenë i interesuar, mendoja se po bëhej një gjë e mirë. Pastaj kam parë sesi është ndërhyrë nga interesa të ndryshme.

Tashmë kemi një projektligj që nuk ngjan fare me atë që nisi. Është prekur zemra, kompanitë nuk janë më të detyruara që ta aplikojnë. Neni tetë thotë se nëse duan, kompanitë mund ta aplikojnë sistemin.”

Drafti fillestar rriste çmimin e sigurimeve për shoferët problematikë dhe e ulte për ata të rregullit, por tashmë me variantin që ka projektligji, sipas Senjës, fitojnë vetëm kompanitë e sigurimit.

“Po përpiqen të krijojë një lloj oligopoli. Do fillojnë të gjithë nga zëroja, dhe nga sjellja do u rriten koefiçentët. Si do u bëhet shoferëve të mirë? Do jenë të detyruar që të paguajnë njëlloj. I nxis deputetët në Kuvend që të bëjnë ndryshime”/abcnews.al/