Enkelejd Alibeaj zhvilloi sot një takim me intelektualët demokratë.
Tema e diskutimit në këtë takim ishte ligji i ri për hapjen e dosjeve të sigurimit, i cili u miratua në parlament të enjten e kaluar.
Alibeaj tha se grupi parlamentar i PD-së ka nisur përgatitjen e amendamenteve për hapjen e dosjeve që në qershor të këtij viti, ndërsa tha se kjo çështje ka qenë gjithmonë pezull në politikën shqiptare.
Në fjalën e tij ai tha se dosjet do të hapen për të informuar publikun, duke theksuar se e vërteta nuk duhet të keqpërdoret në asnjë mënyrë.
“Ligjin i hapjes së dosjeve. Do ishte më mirë që ky takim të ishte bërë para se të zhvillohej votimi në parlament. Miratimi i ligjit për hapjen e plot të dosjeve ka qenë gjithmonë një nga çështjet pezull të politikës. Ky takim me ju është nevojë e brendshme që ndihem të bëj një sqarim publik për atë se çfarë përmban ky proces dhe ligji i hapjes së dosjeve. Çfarë ka ndodhur në momentin kur parlamenti shqiptar votoi amendamentet e paraqitura nga grupi parlamentar i PD-së. Dosjet e sigurimit të shtetit konsiderohen sekret shtetëror. Sekrete shtetëror do të thotë se askush nuk do të mund ti studionte e ti shihte. Grupi parlamentar i PD filloi punën për analizën e amendamentet përkatëse që në qershor”, tha Alibeaj.
Parlamenti i Shqipërisë miratoi disa ndryshime në ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit”, policisë sekrete famëkeqe gjatë regjimit komunist. Ndryshimet morën votën pro të 94 deputetëve të pranishëm, asnjë votë kundër dhe vetëm një abstenim.
Ligji i ndryshuar parashikon hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit dhe deklasifikimin e të gjithë dokumentave nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991.
Ai parashikon gjithashtu riverifikimin e figurës edhe të atyre personave për të cilët dalin informacione të reja edhe kur ata kanë kaluar në sitën e komisioneve të mëparshme parlamentare, me synimin për largimin nga politika dhe postet publike të spiunëve të ish-Sigurimit.
/abcnews.al/