Përfaqësuesja e Kosovës e femrave sot ka arritur fitoren e dytë në kuadër të Ligës së Kombeve. Dardanet kanë mposhtur Maqedoninë e Veriut, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 3:1.
Pjesa e parë filloi mbarë pasi Kosova që në çerekun e parë të lojës arriti të sigurojë rezultatin pozitiv. Në minutën e shtatë, epërsinë Kosovës ia siguroi Donjeta Halilaj, e cila me saktësi ekzekutoi penalltinë e fituar paraprakisht nga Memeti.
Po kaq minuta më vonë, Kosova pati një rast tjetër, të cilin e konkretizoj përmes Erëleta Memetit për 2:0. Dardanet me intensitet te lartë të lojës vazhduan paraqitjen edhe më tej. Kështu në minutën e 34′, Kaltrina Biqkaj shënoi pas një depërtimi vetjak, duke thelluar epërsinë në 3:0.
Në pjesën e dytë, Kosova luajti me më shumë komoditet për shkak të rezultatit të thellë që kishte siguruar në pjesën e parë. Ndërkohë një minutë para se të përfundojë koha e rregullt, Maqedonia e Veriut shënoi golin e nderit përmes Olivera Cokleskas. Gjithsesi, ky gol ishte i vonshëm për mysafiret që të riktheheshin në lojë dhe kështu ndeshja u përmbyll me rezultat 3:1.
Kosova do të vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Kombeve në nëntor, ku do të përballet me Bullgarinë, ndeshje e cila do të jetë përcaktuese për vendin e parë në grup dhe për promovim në Ligën B. Aktualisht Kosova ka dy fitore dhe një barazim./ h.ll/abcnews.al