Dy rivalët e Shqipërisë në Ligën e Kombeve do të ndeshen sot në Izrael. Vendasit presin Skocinë dhe kërkojnë vetëm fitoren për të mbetur me pretendime për kualifikimin.
Morali i miqve është i lartë, por asnjëra nga skuadrat nuk jep garanci.
Izraeli dhe Skocia, dy rivalët e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, ndeshen sot në stadiumin e Haifës në orën 20:45, ndërsa rezultatet e kohëve të fundit i kanë pasur për t’u harruar.
Izraeli, i mundur 0-1 në “Elbasan Arena” nga kombëtarja jonë, ka katër humbje radhazi, dhe 8 disfata në 10 duelet e fundit.
Tepër keq për një formacion që pretendon kualifikimin në grup.
Trajneri Hercog i bën thirrje tifozëve, por duket se vetëm 10 000 do të jenë në stadiumin 30-mijë vendësh.
Mos vallë, Skocia është më mirë se kundërshtari?
Fitorja ndaj Shqipërisë nuk mund të krijojë iluzione, pasi trajneri Meklish ka fituar vetëm 2 nga 6 ndeshjet e deritanishme.
“Izraeli është shumë më i fortë në fushën e vet sesa jashtë, – shprehet trajneri skocez, Meklish, – është e vërtetë që nuk ka fituar prej disa kohësh, por trajneri Andi Hercog po përpiqet ta ndryshojë mentalitetin. Ne e pamë sesi Rusia pati 7 ndeshje pa fitore, por pastaj shkëlqeu në Kupën e Botës”.
Skocia nuk do të ketë sulmuesin e Sëlltikut Leig Grifits, që besohet se është i pakënaqur me trajnerin.
Po ashtu mungon lojtari i krahut, Rajan Frejzër për shkak dëmtimi, ndërsa sulmuesi i Salcburgut, Dabur, është në formë shumë të mirë dhe pritet të jetë titullar.
Izraeli i ka humbur të tria ndeshjet e mëparshme ndaj britanikëve./abcnews.al