Liga e Futbollit, takim me pushtetin vendor para zgjedhjeve

schedule19:20 - 17 Janar, 2019

schedule 19:20 - 17 Janar, 2019

Klubet shqiptare do të kërkojnë takim me pushtetin vendor për të nisur mbrojtjen e interesave të tyre. Të organizuar në ligën e futbollit, ata do të përqëndrohen tek infrastruktura dhe ligji për sponsorizimet.

Ende nuk janë gati, por kanë vendosur të veprojnë. Klubet e Superligës shqiptare do të kërkojnë një takim me titullarët e pushtetit vendor, për të nisur mbrojtjen e interesave të tyre. Presidentët, pas takimit themelues në Federatën Shqiptare të Futbollit, kanë vendosur të këmbëngulin në dy pika, së pari infrastruktura, dhe së dyti, ligji për sponsorizimet.

Burime pranë Ligës bëjnë me dijë se, presidenti i ri i saj, Edvin Libohova, ka në plan që të kërkojë nga kryetarët e bashkive që të mos lejojnë tjetërsimin e fushave të futbollit. Dëmtimi i deritanishëm nuk duhet të vazhdojë, gjykojnë presidentët e klubeve, të cilët kanë kuptuar se pa një infrastrukturë të mjaftueshme, nuk mund të bëjnë biznes me futbollin.

Takimi do të kërkohet të zhvillohet përpara zgjedhjeve vendore, besohet në muajin mars ose prill, në mënyrë që vëmendja e bashkive të mos jetë e fokusuar ende në fushatën elektorale. Më pas, në Ligë do të diskutohet edhe ligji për sponsorizimet.

Aktualisht, ky ligj në Shqipëri u jep lehtësi bizneseve që shpenzojnë për futbollin, deri në masën 3 apo 5 për qind zbritje nga tatimet mbi fitimin. Në Kosovë, ligji është shumë më inkurajues për sponsorizimin e sportit, pasi u jep të drejtën bizneseve që të zbresin deri në 30 për qind të tatimit mbi fitimin.

Besohet se ky është një nga shkaqet kryesorë, që në klubet shqiptare korrektesa në pagesa është shumë më e vogël sesa në klubet e Kosovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!