Shqipëria fitoi dje ndaj Kazakistanit dhe mbajti gjallë misionin për të dalë e para në Grupin 4 të Ligës C në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë aktualisht janë në vendin e dytë në kuotën e 8 pikëve, pas pesë ndeshjeve.
Në të parin me dy pikë më shumë është kundërshtari ynë i ardhshëm, Bjellorusia. Ndeshja e së mërkurës është pikërisht ndaj tyre dhe fitorja është rruga e vetme për t’i parakaluar.
Në rast se Shqipëria fiton ndaj Bjellorusisë dhe arrin vendin e parë, atëherë ngjitemi një ligë më lart, në grupin e skuadrave të Ligës B dhe kemi mundësi të provojmë veten me skuadra më të forta.
Por jo vetëm kaq sepse në valle është edhe një dorë e mirë parash. Për fituesin e grupit akordohen 1.125 milionë euro dhe Shqipëria do të vijojë të jetë në valle për të bërë të sajën këtë shumë aspak modeste për financat tona. /abcnews.al