Lideri iranian mesazh kërcënueses për ish presidentin Trump

schedule14:39 - 22 Janar, 2021

schedule 14:39 - 22 Janar, 2021

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka postuar një mesazh kërcënues për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Postimi përmban një fotografi të një njeriu që i ngjan ish-presidentit amerikan, duke luajtur golf dhe hija mbi të është e një aeroplani lufte ose një droni.

“Hakmarrja është e pashmangshme”, thuhet në postim.

Sipas BBC, mesazhi duket një thirrje për sulm, si hakmarrje për vrasjen e komandantit të lartë ushtarak iranian, vitin e kaluar. Disa përdorues të Twitter-it kanë bërë thirrje që gjiganti i mediave sociale të pezullojë llogarinë e Ajatollah Khamenei.

Twitter mbylli llogarinë e Trumpit në fillim të këtij muaji pasi ai publikoi postime të cilat konsiderohej se kanë nxitur dhunën ndaj Kongresit amerikan më 6 janar, derisa po certifikohej rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit 2020.

Gjenerali iranian, Qasem Soleimani u vra nga një dron amerikan në Bagdad një vit më parë.

Nën udhëheqjen e tij, Irani kishte fuqizuar aktivitetet e grupeve militante pro-iraniane, dhe kishte zgjeruar praninë e tij ushtarake në Irak dhe Siri.

Ai planifikoi edhe ofensivën e Sirisë kundër grupeve rebele në luftën e saj të gjatë civile.  Trump kishte deklaruar se ky gjeneral ishte “drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë përgjegjës për vdekjen e miliona njerëzve”.

Pas vrasjes së tij, Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar me raketa një bazë ajrore irakiane që strehonte trupat amerikane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!