Grupi militant “Hezbollah” me bazë në Liban ka caktuar Naim Qassem si kreun e tij të ri, pas vrasjes se Hassan Nasrallah nga forcat izraelite muajin e kaluar. Sipas deklaratës zyrtare, Qassem është zotuar të jetë i përkushtuar ndaj “islamit autentik të Muhamedit” dhe parimeve thelbësore të Hezbollahut.
71-vjeçari ka qenë një figurë e lartë në lëvizjen e mbështetur nga Irani për më shumë se 30 vjet. Në një deklaratë më 8 tetor, Qassem tha se konflikti midis Hezbollahut dhe Izraelit ishte një luftë se kush qan i pari dhe sipas tij grupi militant nuk do të qante i pari. “Aftësitë e grupit ishin të paprekura pavarësisht “goditjeve të dhimbshme” nga Izraeli”. Pati deklaruar ai atëkohë.
Mirëpo ai mbështeti përpjekjet e kryetarit të parlamentit për të siguruar një armëpushim, duke mos përmendur për herë të parë një marrëveshje armëpushimi në Gaza si një parakusht për ndalimin e luftimeve të grupit ndaj Izraelit.
71-vjeçari është përmendur shpesh si “numri dy” i grupit militant. Ai është një nga studiuesit fetarë që themeloi grupin në fillim të viteve 1980.
Qassem mori pjesë në takimet që çuan në formimin e Hezbollah, i krijuar me mbështetjen e Gardës Revolucionare të Iranit në përgjigje të pushtimit izraelit të Libanit në 1982.
Ai ka qenë koordinator i përgjithshëm i fushatave zgjedhore parlamentare të Hezbollahut që kur grupi i kontestoi ato për herë të parë në 1992. Në vitin 2005, ai shkroi një histori të grupit si një “vështrim i brendshëm” i rrallë në organizatë.
Nasrallah u vra në Bejrut në fund të shtatorit nga një sulm izraelit. Shumë zyrtarë të tjerë të lartë të Hezbollahut kanë qenë gjithashtu në shënjestër që kur Izraeli e ktheu fokusin e tij te grupi libanez./abcnews.al


